Lehtësime në marrjen e autorizimit apo rinovimit si dhe mbrojtja e operatorëve të ligjshëm përmes përforcimit të masave ligjore, janë thelbi i konsultimit publik që ka nisur AMA në të gjithë vendin, sa i takon propozimeve të reja në rregulloren, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve”.
Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi takoi operatorët e autorizuar të qarkut të Lezhës e Shkodrës, ndërsa u shpjegoi propozimet për ndryshime në rregullore të cilat do ti japin fund konkurrencës së pandershme.
“Kemi vendosur të shtojmë masat ligjore, në mënyrë që të parandalojmë manipulimin e shpërndarjes së sinjalit tokësor, për qëllime që bien ndesh me licencimin dhe të drejtat e transmetimit.
Ndaj presim kontributin e çdo operatori të përfshirë në tregun audioviziv, individ apo grupe interesi, për këto propozime për ndryshime, të hedhura për konsultim publik” – tha kryetarja e AMA-s para operatorëve të autorizuar në veri të vendit.
Ajo shtoi se synimi i AMA-s është përshtatja më tej të legjislacionit shqiptar me praktikat më të mira europiane.