Një server që transmetonte në mënyrë të paligjshme përmbajtje televizive dhe sportive është mbyllur pas një raportimi zyrtar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Sipas njoftimit, kompania ndërkombëtare Scaleway me seli në Francë ka reaguar menjëherë, duke mbyllur serverin që shpërndante përmbajtje audiovizive pa autorizim.
Serveri i raportuar transmetonte në mënyrë të paligjshme: kanale sportive Premium, televizione kombëtare dhe përmbajtje audiovizive të mbrojtura nga të drejtat e autorit
Në përgjigjen e saj zyrtare, departamenti Scaleway Trust & Safety ka konfirmuar:
“Shërbimi për klientin përkatës është pezulluar dhe serveri është nxjerrë jashtë funksionit.”
Ky veprim përbën një tjetër hap konkret në luftën kundër piraterisë IPTV, duke dëshmuar bashkëpunimin efektiv mes autoriteteve shqiptare dhe ofruesve ndërkombëtarë të infrastrukturës digjitale.
Autoriteti i Mediave Audiovizive thekson se do të vijojë monitorimin dhe raportimin e çdo rasti të shkeljes së ligjit, në mbrojtje të transmetuesve ligjorë dhe të interesit publik.


