Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi, priti në një takim profesorin e Universitetit të Sociologjisë, Instituti i Studimeve Politike të Parisit (Sciences Po), sociologun dhe gjuhëtarin, Z. Dominique Boullier, si dhe zyrtarë të lartë të Ambasadës Franceze në Shqipëri.
I ndodhur në Tiranë për një sërë aktivitetesh, me tematika të aktualitetit si, e drejta e mediave në Francë dhe përdorimi i rrjeteve sociale apo mbi dëmin që i bën demokracisë përhapja virale e informacionit të pasaktë, vizita dhe biseda e organizuar në AMA ishte informuese dhe shumë e gjerë.
Kryetarja e AMA-s iu përgjigj interesit të tij, mbi mënyrën e funksionimit të AMA-s si ent rregullator për median audio dhe audiovizive në Shqipëri, bashkëpunimet me homologët europianë, përshtatjet ligjore me ato të BE-së dhe aktet e fundit, të miratuara.
“Një proces i rëndësishëm, në të cilin jemi të angazhuar vazhdimisht është edhe Edukimi Mediatik i publikut si investimi më i mirë për krijimin e një audience të mençur dhe vendimmarrëse në një mjedis virtual që ndryshon çdo ditë” – shpjegoi Znj.Krasniqi.
Shumë interesante në bisedën me Z. Boullier ishte shkëmbimi i mendimeve, por edhe shembujve që vijnë nga Europa, në këndvështrimin social dhe mediatik, të çështjeve të diskutuara më shumë sot dhe që të përbashkët kanë risitë teknologjike.
Z. Boullier, përveçse si studiues, është i njohur edhe si autor i disa veprave të rëndësishme që lidhen me fenomene aktuale, me interes për median dhe rregullatorët, e që lidhen me ndikimin e rrjeteve sociale në publik, fuqinë e platformave, jetën digjitale etj.