Tryeza e fundit e konsultimeve mbi ndryshimet e propozuara në rregulloren, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve” u zhvillua në Pogradec ku kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi takoi operatorët e autorizuar në qarkun e Korçës.
Ndryshimet e propozuara në rregulloren, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve” kanë marrë dakordësinë e mbi 70 për qind të operatorëve të autorizuar nga AMA në të gjithë Shqipërinë.
Kryetarja e AMA-s Znj. Krasniqi u tha të pranishmëve në takim se të gjithë subjektet audiovizivë që shesin produkt audioviziv duhet t’i përmbahen vetëm produktit për të cilin janë të licencuar.
“Është e rëndësishme të kuptohet se, aktiviteti që disa subjekte kanë zgjedhur të bëjnë, duke shitur kanalet e lira bashkë me produktin për të cilin janë të autorizuar, është devijim nga ligji dhe shfrytëzim i hapësirave, që deri tani kanë ekzistuar në rregulloren e autorizimeve dhe ky abuzim nuk mund të vazhdojë më”- është shprehur Znj. Krasniqi.
Ajo shtoi se për këtë arsye të gjithë subjektet duhet të përgatiten që të modulojnë dekoderat dhe të zbatojnë ligjin pasi nuk ka asnjë arsye që kanalet e lira për publikun të përfshihen brenda paketave të subjekteve ritransmetuese, pa pasur marrëveshje me prodhuesit e produktit.