E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s merr pjesë në konferencën “Horizontet Mediatike: Sfidat e së ardhmes”, në Mal të Zi. Diskutohen zhvillimet e tregut mediatik dhe forcimi i urave të bashkëpunimit mes vendeve

Sfidat aktuale të tregut mediatik, shkëmbimi i eksperiencave mes vendeve në përballjen e tyre, si dhe direktivat dhe rregulloret e reja të BE-s që priten të hyjnë në fuqi së shpejti, kanë qenë disa nga temat e diskutuara në konferencën 2-ditore me temë, “Horizontet Mediatike: Sfidat e së ardhmes”, organizuar nga Agjencia e Medias Elektronike e Malit të Zi.

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi, e pranishme në këtë konferencë, ka bërë me dije për pjesëmarrësit situatën aktuale mediatike në Shqipëri, ndryshimet e bëra në ligjin “Për Median Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, në përputhje me Direktivat e BE-së, planet në zbatim të punës, si dhe ka qenë pjesë e diskutimeve mbi aktet e reja europiane, mënyrën e implementimit të tyre dhe lidhjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse për këtë qëllim të përbashkët.

Gjithashtu, të pranishmit e tjerë, drejtues të enteve rregullatore në vendet e Ballkanit dhe BE-s, kanë prezantuar eksperiencat e tyre, aktualitetin dhe vështirësitë me të cilat përballen ata si rregullatorë, në një treg dinamik dhe gjithnjë në zhvillim, siç është tregu mediatik.

Në Mars të vitit të ardhshëm, për vendet anëtare të BE-së, hyn në fuqi Paketa DSA (Akti i Shërbimit Digjital) dhe DMA (Akti i Tregut Digjital) që pritet të kontribuojë në përmirësimin e mbrojtjes së përdoruesve si dhe cilësinë e shërbimeve digjitale mediatike. Gjithashtu Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA), është një tjetër instrument i ri i BE-së, shumë i rëndësishëm, për mbrojtjen e pluralizmit dhe pavarësinë e medias. Harmonizimi i legjislacionit dhe kornizës institucionale me këto standarde, është detyrim për secilin vend.

Meqenëse autoritetet rregullatore kombëtare pritet të marrin pjesë aktive në këtë proces, ka lindur nevoja që këto autoritete të përgatiten në kohë dhe të kenë kapacitetet e duhura për përgjegjësitë që mund t’u caktohen atyre. Përballë kësaj sfide, përfaqësuesit e enteve rregullatore të pranishëm në konferencë kanë theksuar rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit mes tyre në këtë fazë, me synim koordinimin në kohë të aktiviteteve dhe shkëmbimin e informacionit dhe përvojave në mënyrë që ky proces të përdoret, jo vetëm për të ndikuar në rregullimin e tregut mediatik, por edhe për të forcuar pozicionin e tyre në implementimin e Direktivës së BE-së për Shërbimin Mediatik Audioviziv. Kështu mund të promovohet dhe përmirësohet edhe mbrojtja e përdoruesve të shërbimeve digjitale që mundëson publikimin, shkëmbimin, shpërndarjen dhe përvojat e ndryshme ndërvepruese të përmbajtjeve mediatike audiovizive.

Në përfundim, të pranishmit kanë hedhur idenë e hartimit dhe nënshkrimit të një Memorandumi bashkëpunimi mes vendeve pjesëmarrëse në konferencë.

Perpara Angazhimi në përmbajtjet televizive: Ekranet afrojnë për kontribute të dyja gjinitë

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara