E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s me studentët e Gazetari-Komunikimit të Universitetit të Shkodrës: “AMA ka rol rregullator. Realiteti i ri mediatik audioviziv po reflektohet edhe në ligjin tonë organik”

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka pritur sot një përfaqësi të studentëve të degës Gazetari-Komunikim, të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Vizita është realizuar në kuadër të projektit të këtij fakulteti, “Media 2040: Avokimi i të rinjve për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, ku Universiteti i Shkodrës është pjesë, bashkë me pesë universitete të tjera të Rajonit.

Për të mësuar më shumë rreth funksionit të institucionit, Kryetarja Krasniqi i ka ftuar studentët në mbledhjen e radhës që zhvillonte Bordi i AMA-s, këtë të hënë. Ajo u ka shpjeguar të rinjve procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit, vendimarrjen dhe funksionin e institucionit. Bisedën e kanë bërë edhe më interesante pyetje-përgjigjet, kryesisht mbi aktualitetin e tregut mediatik shqiptar, mes studentëve dhe anëtarëve të pranishëm të Bordit. Më tej, Znj. Krasniqi u ka shpjeguar studentëve se roli i institucionit është rregullator. “AMA nuk është institucion ndëshkues. Ne marrim masa, vendosim edhe gjoba për shkelje, siç e parashikon ligji 97/2013 “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, ka thënë ajo, “por roli i AMA-s është rol rregullator në tregun audio dhe audioviziv”.

Më pas biseda është zhvendosur në Bibliotekën e AMA-s. Aty Kryetarja Krasniqi dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të AMA-s, kanë shpjeguar proceset e monitorimit dhe analizës së përmbajtjeve audio dhe audiovizive apo mënyrën e trajtimit të ankesave që vijnë nga individë apo subjekte të ndryshme. Ndryshimet ligjore dhe përshtatja e legjislacionit me realitetet e reja të tregut audioviziv, të diktuara nga zhvillimi teknologjik kanë qenë gjithashtu pjesë e bisedës. Mbrojtja e gjuhës shqipe nga gazetarët dhe procesi i Matjes së Audiencës kanë tërhequr interesin e studentëve.

Në fund, Kryetarja e AMA-s, u ka dhuruar studentëve libra, produkte të projekteve në fushën e publikimeve, realizuar nga AMA. Ajo ka mirëpritur ftesën e pedagogëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, që takime të tilla të realizohen edhe në Shkodër.

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Specialist në Sektorin e Çështjeve të Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtoria e Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar.
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara