Krasniqi prezanton qasjen për sfidat e epokës digjitale në Konferencën e Lidershipit Ballkanik

Në Konferencën e Lidershipit Ballkanik, të organizuar nga Federata Universale e Paqes dhe Iniciativa Ndërkombëtare e Parlamentarëve për Paqe, nën kujdesin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, u diskutuan sfidat kryesore që lidhen me lirinë e medias, demokracinë dhe qeverisjen digjitale në Ballkanin Perëndimor.

Pjesë e panelit me temë “Liria e medias, demokracia dhe qeverisja digjitale në Ballkanin Perëndimor” ishte edhe kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, e cila prezantoi qasjen institucionale të autoritetit për përballimin e sfidave të epokës digjitale.

Gjatë fjalës së saj, Krasniqi theksoi se mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe garantimi i së drejtës së publikut për informim mbeten në themel të veprimtarisë së AMA-s. Në këtë kuadër u prezantuan tre shtyllat kryesore të qasjes institucionale: transparenca e pronësisë së medias, bashkërregullimi me platformat e shpërndarjes së videove dhe edukimi mediatik, i konsideruar si instrumenti më i qëndrueshëm për forcimin e rezistencës së qytetarëve ndaj dezinformimit dhe fenomeneve të tjera negative në mjedisin mediatik.

Gjithashtu, u prezantuan hapat konkretë të ndërmarrë nga AMA për përafrimin e kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Europian, si dhe për zhvillimin e mekanizmave bashkëkohorë të rregullimit të mjedisit mediatik dhe digjital.

Konferenca mblodhi parlamentarë, përfaqësues të institucioneve publike, autoritete rregullatore, profesionistë të medias, ekspertë të politikëbërjes, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Diskutimet u përqendruan te sfidat që lidhen me lirinë e medias, pluralizmin, luftën kundër dezinformimit dhe qeverisjen e hapësirës digjitale në një mjedis mediatik që po transformohet me ritme të shpejta.

Perpara Monitorimi i përmbajtjeve gjatë muajit maj: Partitë politike, institucionet shtetërore dhe aktorët dominues në televizionet kombëtare

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL