Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi priti në një takim Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Z. Michel Tarran, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në sektorin audioviziv dhe për të rikonfirmuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy institucioneve.
Në qendër të bisedës ishte progresi i arritur në forcimin e transparencës së pronësisë së medias, veçanërisht pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Tarran vlerësoi punën e AMA-s, duke i cilësuar amendimet ligjore si një hap të rëndësishëm që rrit llogaridhënien dhe forcon pluralizmin e integritetin e sektorit mediatik.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e krijimit të regjistrit të pronësisë së medias si një mjet kyç për të garantuar besueshmërinë e sektorit. Gjithashtu, u diskutua për rolin e AMA-s në promovimin e Edukimit Mediatik dhe mbrojtjen e publikut, sidomos të rinjve, nga përmbajtjet e dëmshme.
Palët diskutuan edhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve monitoruese të AMA-s, përfshirë monitorimin gjatë periudhave zgjedhore, ku u ra dakord për mbështetje të mëtejshme teknike dhe institucionale në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Në përfundim, u ritheksua se OSBE mbetet një partner strategjik për AMA-n në procesin e përafrimit me standardet europiane, me synim forcimin e lirisë së medias dhe zhvillimin e një mjedisi mediatik të pavarur e transparent në Shqipëri.













