Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive Znj. Armela Krasniqi mori pjesë në Stakeholder Forum 2026, një forum që mblodhi rregullatorë të medias, përfaqësues të televizioneve dhe radiove, organizata të Unionit të lidhura me sektorin, si dhe aktorë të industrisë, në kuadër të një dialogu mbi “Pluralizmin e medias dhe qëndrueshmërinë e saj në një peizazh mediatik që ndryshon me shpejtësi”.
Diskutimet e zhvilluara në Bruksel evidentuan se debati europian për median po hyn në një fazë të re. EMFA, transformimi digjital, platformat globale, Inteligjenca Artificiale, si dhe ndryshimi i modeleve të konsumit dhe financimit të medias, po ndikojnë njëkohësisht në tregun mediatik, rolin e rregullatorëve dhe vetë konceptin e pluralizmit.
Në këtë kontekst, pluralizmi nuk matet vetëm me numrin e mediave që operojnë në një treg. Gjithnjë e më shumë, në nivel europian, vëmendja përqendrohet te struktura dhe përqendrimi i tregut, transparenca e pronësisë, pavarësia editoriale, aksesi i publikut në burime të ndryshme informacioni dhe qëndrueshmëria ekonomike e medias.
Një prej mesazheve kryesore të këtij dialogu është se pluralizmi dhe qëndrueshmëria ekonomike e medias nuk janë objektiva konkurrues, por dy kushte që duhet të përforcojnë njëri-tjetrin.
Pjesëmarrja e AMA-s në këtë forum në Bruksel përfaqëson një mundësi për të ndjekur nga afër zhvillimet europiane, por edhe për të sjellë perspektivën dhe përvojën shqiptare në diskutimet që po kontribuojnë në formësimin e së ardhmes së rregullimit të medias në Europë.


