Për herë të parë në Shqipëri, organizohet Forumi i radhës së Rrjetit të Autoriteteve Rregullatore të Detit të Zi, BRAF. Punimet e këtij forumi do të zhvillohen në datat 17-18 shtator 2025 në qytetin e Vlorës.
Në takimin e 12-të të këtij rrjeti të rëndësishëm, do të diskutohet një ndër temat më të mprehta për nga problematika që paraqet në këto kohë zhvillimi teknologjik: “Gjuha e urrejtjes në median audiovizive dhe online”.
Ndërkaq sot në Autoritetin e Mediave Audiovizive, Kryetarja Znj. Armela Krasniqi priti kryetarin e Rregullatorit të Azerbajxhanit, Z. Ismat Sattarov dhe këshilltarin e tij, Z. Hashim Alimammadzade. Të gjendur për herë të parë në Shqipëri, kryetarja e AMA-s iu prezantoi shtyllat kryesore të punës në institucionin që ajo drejton, si dhe diskutuan për sfidat aktuale me të cilat përballen rregullatorët sot.
Më herët kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi priti dhe një pjesë të delegacionit turk, Sekretaren e Përgjithshme të BRAF, Znj. Deniz Guçer, Zv/Presidentin e RTUK, Z. Deniz Guler, anëtarin e Këshillit të Lartë të RTUK, Z. Tuncay Keser, Eksperten e Këshillit të Lartë të RTUK, Znj. Ilke Akman dhe anëtarë të Sekretariatit të përhershëm të BRAF, Znj. Elif Ayan dhe Z. Çaglayan Çaglar.
Për Krasniqin, ngjarje të tilla të rëndësishme dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe përvojave më të mira me rregullatorët e vendeve të tjera të Europës e partnerë, janë mënyra më e mirë për të qenë të suksesshëm dhe në koherencë me gjithçka ndodh.