E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Fjala e plotë e Kryetares se AMA-s përpara Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik për raportimin e punëve të kryera gjatë vitit 2024

Të nderuar deputetë! 

Viti 2024 ka qenë një vit angazhimesh në procese të ndryshme pune, me qëllim efektivitetin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës dhe rregullator të AMA-s në tregun audio dhe audioviziv shqiptar. Përveç përmirësimit të kapaciteteve në drejtim të mirëfunksionimit të brendshëm institucional, përparësia e angazhimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, ka qenë përafrimi edhe më shumë me standardet e një rregullatori, vend anëtar i BE-së, në favor të garantimit të një tregu audio/audioviziv me tipare edhe më transparente dhe plurale, duke ofruar për ndjekësit produkte të shumëllojshme dhe cilësore.

Përparësitë dhe objektivat tona kryesore i kemi reflektuar edhe në Strategjinë 2024-2026, të miratuar në Shkurt të vitit të kaluar, me një plan të mirëorganizuar veprimi, i cili synon:
– Nxitjen dhe mbështetjen e standardeve profesionale në rritje të transmetimeve audiovizive, nëpërmjet praktikave më të mira ndërkombëtare;
– Sigurimin dhe nxitjen e diversitetit dhe pluralizmit në transmetimet audiovizive;
– Qasjen proaktive për transmetime audiovizive të përgjegjshme, motivuar nga interesi publik;
– Përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe efektivitetit të rolit mbikëqyrës dhe rregullator të autoritetit. Ky objektiv është përmbushur, falë funksionimit të Autoritetit, si një ent plotësisht i pavarur në ushtrimin e detyrave, sipas përcaktimeve ligjore. E theksoj këtë fakt, me argumentin e drejtimit dhe vendimarrjes së institucionit, nga një Bord Drejtues i sugjeruar 100% nga shoqëria civile dhe i miratuar nga Parlamenti, pavarësisht pretendimeve që shfaqen ne krye te heres aktore te ndryshem qofte edhe vetë shoqëria civile.
Me rreth 500 vendime të marra gjatë drejtimit të këtij institucioni, mbi 60% e tyre kanë qenë me dakordësi unanime, të shprehura përmes procesit të votimit. Çka tregon se ky Bord i është bindur vetëm ligjit.
Ndër këto vendime, përfshihen 9 vendime për çelje gare për përdorim të frekuencave, 123 dhënie licencash/autorizimesh apo rinovim të tyre, 11 monitorime fushatash zgjedhore për: zgjedhje lokale, apo të përgjthshme apo të pjesshme ne bashki te ndryshme te vendit. Nder keto rreth 500 vendime permend: 24 akte të ndryshme nënligjore, 9 heqje autorizimi/licence etj.
Në morinë e këtyre vendimeve, asnjë prej tyre nuk është pretenduar qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga vetë industria apo nga partitë politike, si i marrë me ndikim politik.

Mbështetur tek këto përparësi dhe me synimin e qartë për përmirësimin e mëtjeshëm të tregut audio/audioviziv, gjatë vitit 2024, puna dhe veprimtaria e AMA-s është përqendruar në disa procese të rëndësishme, ndër të cilat, si më parësore, unë do t’i rendis përpara jush:

Së pari:
Përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian. Në kuadër të zbatimit të detyrimeve periodike të përafrimit të legjislacionit të brendshëm me Acquis e BE-së në fushën e medias audiovizive, dhe detyrimeve të ndërmarra nga AMA në kuadër të Planit Kombëtar për Integrimin Europian 2024-2026, në Prill të vitit 2024, Autoriteti miratoi me vendim nr. 40, rregulloren:“Për kriteret dhe procedurat e shqyrtimit të ndryshimeve në strukturën e pronësisë dhe transparencën e të dhënave të lidhura me pronësinë e OSHMA-ve”. Ky akt i rëndësishëm nënligjor trajton në mënyrë të posaçme, Transparencën në Strukturën Pronësore dhe Deklarimin e të Dhënave të tjera të lidhura me licencën/autorizimin prej OSHMA-ve, duke bërë përafrim fillestar të Rregullores me dispozitat e Aktit Europian për Lirinë e Medias, si dhe transpozimin e Direktivës 2018/1808 të BE-së.

Rregullorja, e cila zbatohet në mënyrë rigoroze nga strukturat e AMA-s, ka risi sa i përket:
Shqyrtimit nga AMA të ndryshimeve në strukturën pronësore, brenda të njëjtit person juridik OSHMA, mbajtës i licencës/autorizimit nga AMA, të cilat nuk passjellin cedimin ose kalimin e të drejtave që burojnë nga licenca/autorizimi;
– Shqyrtimin e ndryshimeve në strukturën pronësore mes personave juridikë privat OSHMA, në rastet e hyrjes në marrëdhënie juridike civile, të cilat passjellin cedimin ose kalimin e të drejtave që burojnë nga licenca/autorizimi;
– Deklarimin e informacionit mbi përbërjen e strukturës së pronësisë së personit juridik OSHMA, mbajtës i licencës/autorizimit nga AMA, duke përfshirë pronarin përfitues;
-Transparencë të shtuar mbi origjinën e burimeve të financimit për kryerjen e transaksioneve tregtare të kapitalit të shoqërisë mediatike prej ortakut/aksionerit;
– Deklarim të çdo lloj konflikti/interesi të mundshëm që ndikon në veprimtarinë e OSHMA-së prej pronarëve;
– Deklarim mbi të ardhura nga reklama, donacione, sponsorizimeve etj., të pronarit përfitues nga persona juridikë publik, kryer me qëllim promovimi mediatik etj.

Aktualisht, përtej rregullimit ligjor, AMA ka përgatitur dhe paraqitur grafikisht në faqen web zyrtare transparencën e strukturës së pronësisë së shoqërive/individëve të pajisur me licencë/autorizim nga AMA, po ashtu transparence mbi pronarin përfitues direkt apo indirekt të këtyre subjekteve që ushtrojnë aktivitetet audio dhe audioviziv në Republikën e Shqipërisë, duke përmbushur kështu një prej detyrimeve kryesore të procesit të Integrimit. Baza e të dhënave e paraqitur në grafik, është një model i përzgjedhur mes rregullatorëve europian dhe konkretisht kemi marre modelin e ERC portugeze, fale edhe MoU te nenshkruar mes dy institucioneve.

Gjithashtu në kuadër të zbatimit të detyrimeve periodike të përafrimit të legjislacionit të brendshëm me Acquis e BE-së në fushën e medias audiovizive dhe detyrimeve që rrjedhin nga Plani Kombëtar për Integrimin Europian 2024-2026, në Dhjetor 2024, miratuam, një tjetër akt të rëndësishëm nënligjor, konkretisht rregulloren: “Për kërkesat e posaçme që ofruesit e Platformave të Shpërndarjes së Videove duhet të përmbushin për krijimin e ofrimin e sistemeve transparente, efektive e miqësore në përdorim”. Kjo Rregullore trajton në mënyrë të posaçme rregullimin ligjor të Platformave të Shpërndarjes së Videove (PSV). Ajo synon gjithashtu të rregullojë kushtet e përgjithshme të ofrimit të përmbajtjeve audiovizive nga përdoruesit në PSV dhe nuk prek shërbimet mbështetëse të transmetimeve audiovizive, me qëllim kryesor ofrimin e programeve për informim, argëtim ose edukim. 

Transpozimi i Direktivës 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit Europian, në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shtroi domosdoshmërinë e plotësimit edhe të Kodit të Transmetimit me dispozita specifike, që prekin veprimtarinë e Platformave të Shpërndarjes së Videove (PSV). Kjo u reflektua me miratimin e shtesave dhe ndryshimeve të Kodit të Transmetimit, me Vendimin nr. 128, datë 23.12.2024. Ky rregullim, jo vetëm që përmbushi një detyrim ligjor, por hodhi edhe një hap tjetër drejt qartësimit të kompetencave dhe përgjegjësive të Autoritetit kundrejt Platformave të Shpërndarjes së Videove, por dhe strukturimit të procedurave të trajtimit të ankesave dhe raportimeve lidhur me shkeljet e konstatuara në to.

Pas amendimeve të fundit të Ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të cilat kishin për qëllim përmbushjen e detyrimit për transpozimin e Direktivës 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit Europian, kompetencave të Autoritetit të Mediave Audiovizive, iu shtuan edhe Platformat e Shpërndarjes së Videove. Përtej mungesës së juridiksionit të drejtpërdrejtë, për shkak të mosregjistrimit të asnjë Platforme të tillë në Republikën e Shqipërisë, duke pasur parasysh interesat e përdoruesve shqiptarë, prej muajit Qershor 2024, midis AMA-s dhe platformës TikTok, filloi komunikimi zyrtar, me synim mundësimin e një kanali të dedikuar raportimi për përmbajtjet e dëmshme dhe komunikimet tregtare, me qëllim piratimin e produktit audioviziv shqiptar. Bisedimet u finalizuan në muajin Gusht me lidhjen e një Bashkëpunimi, bazuar në funksionet rregullatore të AMA-s dhe vullnetin e platformës TikTok, në mbrojtje të përdoruesve shqiptarë të kësaj platforme. U arrit hapja një kanali të dedikuar raportimi, ku Autoriteti ndërmjetësonte reflektimin e ankesave të përdoruesve shqiptarë, për përmbajtje të dëmshme, me arsyetimet respektive ligjore mbi shkeljet që përmbajtjet kishin. Në funksion të kësaj AMA hapi paraprakisht një dritare të posaçme në faqen e saj web, e cila mundësonte dërgimin e ankesave nga publiku, referuar përmbajtjeve të dëmshme të publikuara në TikTok. Nga ky bashkëpunim, për periudhën Gusht-Dhjetor 2024, bazuar në raportimet e përdoruesve dhe bashkepunimin e Platformës, u arrit të hiqeshin 286 video me përmbajtje të papërshtatshme, prej te cilave: 20 për akte dhune, 3 video për gjuhë urrejtje për shkak të orientimit seksual, 2 për urrejtje fetare, 31 për pamje veprash penale, 110 për ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës, 107 video për nxitje dhune dhe urrejtje dhe 13 audio për gjuhë që tejkalon standardet morale dhe etike të shoqërisë. Siç edhe është theksuar vazhdimisht, rezulton fenomen shumë shqetësues, Pirateria e produkteve audiovizive shqiptare. Për periudhën Gusht-Dhjetor 2024 u bllokuan nga Platforma TikTok, 1505 video dhe u mbyllën nga vete platforma 193 profile, të raportuara për Pirateri. Për të njëjtën periudhë janë shqyrtuar në total nga ekipet e AMA-s, 743 video për përmbajtje të dëmshme dhe 1513 për Pirateri.

 

Të nderuar deputetë,
Sipas Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës, dokument i politikës shtetërore të Shqipërisë, AMA-s i është lënë detyrë, ndër të tjera, edhe adresimi i çështjes së përqendrimit të tregut mediatik, rritjes së transparencës dhe matjes së shikueshmerise. Angazhimi i AMA-s si autoritet rregullator në këtë drejtim është mbështetja e OSHMA-ve të tregut audioviziv shqiptar, në sigurimin e një procesi transparent. Pikërisht për të mundësuar Matjen e Shikueshmërisë në nivel institucional, AMA ka ndërmarrë iniciativën e nxitjes së këtij procesi. Konkretisht, në periudhën Janar-Shkurt 2024, AMA ka organizuar 3 tryeza me ofrues të shërbimeve mediatike audiovizive (OSHMA) dhe agjenci komunikimi e marketingu, me qëllim diskutimin e modaliteteve për realizimin e procesit të Matjes së Shikueshmërisë audiovizive në Republikën e Shqipërisë. Kemi dhënë kontributin tonë edhe sa i përket metodologjisë apo planit për të ngritur dhe zbatuar sistemin që e realizon praktikisht këtë proces. Në tryezat e organizuara për Matjen e Shikueshmërisë, AMA u prezantoi pjesëmarrësve metodologjinë e praktikave më të mira të realizuara nga vendet e BE-së dhe të Rajonit. Si përfundim, pas diskutimeve të shumta nga përfaqësuesit pjesëmarrës, është rënë dakort për ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë (KPI), me 9 anëtarë, sipas formulës:
– 3 (tre) përfaqësues të televizioneve private me licencë kombëtare;
– 3 (tre) përfaqësues të televizioneve rajonale;
– 1 (një) përfaqësues nga Televizioni Publik Shqiptar (RTSH) dhe;
– 2 (dy) përfaqësues nga agjencitë e marketingut.
Pas një procesi inkurajues për palët, nën udhëheqjen e AMA-s, KPI, si një subjekt plotësisht i organizuar me të gjithë aktorët e tij, ka vazhduar hapat e tjerë, atë të regjistrimi në gjykatë, i cili do të bëjë të mundur fillimin praktikisht të procesit të Matjes së Shikueshmërisë, si një instrument i rëndësishëm, ndër të tjera edhe për identifikimin e ndikimit të mediave në publikun e gjerë.

Një objektiv tjetër i rëndësishëm i punës tonë është edhe procesi i Edukimit Mediatik. Në kuadër të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, Këshilli i Ankesave ka zhvilluar gjatë vitit të kaluar një fushatë per Prinderimin Dgjital me fokus moshën parashkollore, me prindër dhe edukatorë të kopshteve të Tiranës. Kjo fushatë u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve të Bashkisë Tiranë. Pjesë e saj ishin 21 kopshte në 11 njësi administrative të Tiranës, me fëmijë të moshës 5-6 vjeç, si një grupmoshë e përzgjedhur për shkak të veçorive të zhvillimit të tyre moshor dhe nevojës së tyre për orientim në botën audiovizuale dhe digjitale, në prag të një hapi të rëndësishëm të jetës së tyre, siç është shkollimi. U organizuan takime me prindër dhe edukatore ku u diskutua konkretisht mbi Prindërimin Digjital, mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet kibernetike dhe orientimin e tyre për të marrë më të mirën nga teknologjia. Në këto tryeza morën pjesë rreth 500 vetë, prej të cilëve: 12% edukatorë, 14% gjyshër, 16% baballarë. Në kuadër të kësaj fushate audiovizuale u realizuan 23 video, me fokus sensibilizimin e opinionit publik për përdorimin e përgjegjshëm të mediave audiovizuale dhe mediave online, në lidhje me sinjalistikën në mjedisin audioviziv, prindërimin digjital, përdorimin e ekuilibruar të internetit, rreziqet digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale në mjediset digjitale etj.
Procesin e Edukimit Mediatik të Publikut, AMA e ka vazhduar me prioritet gjatë gjithë vitit 2024 me publikimin në faqen online dhe rrjetet sociale, të videove dhe materialeve të tjera sensibilizuese mbi përdorimin e duhur të internetit, mbrojtjen nga lajmet e rreme dhe si te njohim dhe te shmangim dezinformimin, përdorimin e duhur të Inteligjencës Artificiale, mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga gjuha e urrejtjes dhe rreziqet e lojrave online etj.

Sa i takon punës së kryer nga Këshilli i Ankesave veçoj trajtimin, gjatë periudhës raportuese, të 349 ankesave. Përqindja më e madhe e ankesave të paraqitura kanë pasur për objekt, interesin më të lartë të fëmijës, me 59.5% të totalit të tyre. Të ndara sipas problematikave ankesat e trajtuara kanë qenë: 15.2% me objekt cënimin e dinjitetit të viktimës; 8.9% për cënimin e privatësisë; 8.6% për të drejtën e përgjigjes; 5.7% për diskriminimin gjinor/seksizmin; gjithashtu 5.7% për cënimin e dinjitetit; 1.7% për pamje/akte dhune; etj.. Sa i takon administrimit të ankesave, KA u ka kërkuar OSHMA-ve paraqitje pretendimesh në 25.2% të rasteve. Ka mbyllur proceduren administrative me “Tërheqje vëmendjeje” në 11.9%. Me sanksion financiar eshte mbyllur procedura administrative në 2 raste. Në 6.7% të rasteve të vendimmarrjes së KA eshte mbyllur proceura me vendimarrje te vleresuar në favor të lirisë editoriale.

Një prej detyrave të rëndësishme të Autoritetit, në funksion të shërbimit ndaj publikut përmes ofertës programore është edhe shqyrtimi tematik i përmbajtjeve të emetuara. AMA gjatë vitit 2024 ka shqyrtuar kryesisht 241 raste për përputhjen ligjore të përmbajtjeve të transmetuara, duke u fokusuar në aspekte të tilla si: mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme; gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi; barazia gjinore; shkeljet etike në përgjithësi; reklamat dhe komunikimet tregtare; përdorimi i gjuhës shqipe standarde të shkruar dhe të folur; respektimi i sinjalistikës paralajmëruese në fasha kohore të caktuara; tërësia programore të platformës së RTSH-së, në zbatim të kërkesave të Kontratës së Shërbimit, etj. Në procesin e shqyrtimit të përmbajtjeve të transmetuara, në 77 raste, AMA ka adresuar 62 “Tërheqje vëmendjeje” për OSHMA-të dhe në 15 raste “sanksion me gjobë”.
Gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2024, për monitorimin e transmetimeve digjitale në Studion e Monitorimit të AMA-s, kanë qenë në regjistrim 48 njësi regjistrimi. Përveç subjekteve audio dhe audiovizive, janë në regjistrim edhe platformat Digitalb Satelitor, Digitalb Tokësor, Tring Satelitor, Tring Tokësor etj. Gjatë gjithë vitit janë regjistruar gjithsej në transmetimet digjitale 420,000 orë transmetime audiovizive dhe rreth 34,500 orë transmetime audio. Monitorimi i reklamave në subjektet audiovizive kombëtare janë 24,564 orë programe të monitoruara. Ndërsa për sa i takon shqyrtimit të ankesave nga Drejtoria e Monitorimit dhe Analizës së Përmbajtjeve, gjatë vitit 2024, në Studion e Monitorimit kanë ardhur për ndjekje 9 kërkesa/ankesa nga subjekte të ndryshme.

Lidhur me respektimin e të drejtave të transmetimit, Autoriteti, gjatë vitit 2024 ka kryer një numër të konsiderueshëm inspektimesh të subjekteve kabllore/IPTV/OTT në terren. Po ashtu, gjatë vitit 2024 ka pasur risi në mënyrën e kryerjes së kontrolleve, pasi specialistë të Drejtorisë së Inspektimit dhe Mbikqyrjes kanë kryer dhe monitorimin e rrjeteve online, duke identifikuar një sërë rastesh të shitjeve në mënyre abuzive, të produkteve audiovizive. Pas identifikimit të këtyre shkelësve, AMA, me prova zyrtare i ka raportuar ato pranë institucioneve të tjera ligjzbatuese, si Policia e Shtetit apo ne prokurori sipas specifikave te rastit. Pas një pune të mireorganizuar nga Policia, nisur edhe nga provat e vëna në dispozicion nga AMA, në muajin dhjetor 2024, u krye me sukses një operacion për kapjen e disa autorëve që tregtonin dhe prodhonin produkte audiovizive në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu të gjitha ankesat/kërkesat e operatorëve për ndërhyrje dhe mosrespektimin e të drejtës së transmetimit nga subjektet kabllore/IPTV/OTT, Autoriteti i ka trajtuar, duke iu dhënë përgjigje të gjithë subjekteve ankuese, si dhe duke marrë masat përkatëse në rast shkeljesh. Vlen të theksohet se, pjesa dërrmuese e ankesave për shkeljen e të drejtave të transmetimit, gjatë vitit 2024, lidhet me fenomenin e piraterisë televizive që kryhet nga subjekte të paautorizuara nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv, kryesisht subjekte ISP (Internet Service Provider), të cilët nëpërmjet internetit kryejnë pirateri televizive. Duke qenë një fenomen shqetësues, AMA, në shtator, nisi turin e bashkëbisedimit në të gjitha qarqet e vendit, me operatorët e ligjshëm. Fokusi i tryezave, ishte identifikimi i problematikave dhe shqetësimeve që kishin operatorët kabllorë si dhe ndihma e ndërsjelltë për luftimin e këtij fenomeni. Shqetësimet e operatorëve janë trajtuar nga Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes dhe falë inspektimeve në terren i grupeve të punës, është bërë i mundur identifikimit e një numri të konsiderueshëm operatorësh ISP, të cilët kryenin aktivitet audioviziv në shkelje të ligjit. Pas këtyre konstatimeve, AMA mori masa për mbylljen e më shumë se 20 serverave që transmetonin permbajtje audiovizive pa të drejta, si dhe bëri të mundur sanksionimin e 3 subjekteve ISP që operonin në kundërshtim me ligjin 97/2013, të ndryshuar.

Për vitin 2024 AMA, ka kerkuar nga rregullatori i komunikimeve elektronike marrjen e masave, për mbylljen e 346 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit, pra shitje produkti pa te drejta.
Në lidhje me veprimtarinë inspektuese, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes në AMA, gjatë vitit 2024, përmes grupeve të veta të inspektimit, ka ushtruar 393 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve. Nga këto, 220 janë inspektime të kryera në bazë të ankesave te mberritura nga mbajtesit e te drejtave te permbatjes audivizive dhe 173 janë monitorime kryesisht. Në përfundim të kontrolleve dhe shqyrtimit të procedurave përkatëse administrative, janë marrë 11 vendime për sanksione me gjobë ndaj subjekteve OSHMA, që janë konstatuar në shkelje të ligjit dhe për 9 raste të tjera është vendosur masa “Tërheqje vëmendje”. Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes, gjatë vitit 2024, në fokus të veçantë ka pasur dhe monitorimi për respektimin e të drejtës së transmetimit për filmat artistikë dhe eventet sportive, në platforma/programe të ndryshme me pagesë. Për vitin 2024 janë kryer 1,168 orë monitorime për të drejtat e transmetimit për filmat artistikë dhe eventet sportive.

Pra ne permbledhje mund tju informoj se gjatë punës për mbikqyrjen dhe rregullimin e tregut audio/audioviziv, pas shkeljeve të konstatuara nga OSHMA-të, gjatë vitit 2024, AMA ka vendosur për 48 masa administrative me Gjobë dhe 107 “Tërheqje Vëmendje”.
Përveç këtyre proceseve, pjesë e angazhimit ligjor të Autoritetit, gjatë vitit 2024 AMA ka vijuar fushatën ndërgjegjësuese dhe informuese “Fol shqip” me qëllimin e përmirësimit të gjuhës së folur dhe të shkruar në transmetimet audio/audiovizive, fushatë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e standardeve profesionale të redaksive. Fushata nisi në fillim të vitit 2024, me një tryezë gjithëpërfshirëse gazetarë-gjuhëtarë, e titulluar, “Fol Shqip-Të mbrojmë dhe të duam gjuhën shqipe”, dhe kishte si qëllim ndërgjegjësimin e punonjësve të medias për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga fjalë e huaja. Periodikisht AMA ka publikuar në website-n zyrtar dhe në llogaritë e saj në rrjetet sociale, fjalë të huaja të përdorura nga gazetarët apo dhe formulime të pasakta, të shoqëruara këto me gjegjëset në shqip dhe format e duhura gjuhësore. Gjetjet e kësaj nisme reflektohen edhe në emisionin “Fol Shqip show” që transmetohet në Kosovë dhe Maqedoni.

Gjatë viti 2024, AMA ka zhvilluar një sërë takimesh dhe pjesëmarrjesh në konferenca jashtë vendit, me institucione të BE-së dhe autoritete homologe në Rajon dhe Europë, si dhe ka lidhur disa Marrëveshje Bashkëpunimi. Në muajin Qershor, në mbledhjen e 59-të të Platformës Europiane e Autoriteteve Rregullatore, që është rrjeti më i vjetër dhe qe perfshin 57 rregullatorë, ata te unionit europian, por edhe te Europes si e tere, shumica e vendeve votoi pro kandidaturës time, për pozicionin e Zv/Kryetares së këtij rrjeti. Pjesëmarrje të tjera të rëndësishme përmenden në takimet e organizuara nga Grupi i Rregullatorëve Europianë për Shërbimet Mediatike Audiovizive, Forumi i Autoriteteve Rregullatore të Transmetimeve të Detit të Zi, Observatori Europian Audioviziv, WorldDAB, Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore, në Konferencën Globale, e quajtuar ndryshe “Forumi Global i Rrjeteve”, organizuar nga UNESCO etj. Gjithashtu janë nënshkruar Memorandumet e Bashkëpunimit me rregullatorin turk, RTUK, rregullatorin polak, KRRiT dhe atë portugez, ERC. Shtyllat kryesore të këtyre bashkëpunimeve mbështeten në Edukimi Mediatik; Matjen e Shikueshmërisë; hulumtimin e opinionit publik dhe metodologjinë e monitorimit të përmbajtjes audiovizive.

Një aspekt i rëndësishëm i punës gjatë vitit 2024 ka qenë edhe rritja e kapaciteteve në drejtim të mirëfunksionimit të brendshëm institucional. Një nga projektet kryesore ka qenë ndërtimi i një infrastrukture të re IT, bazuar në nyje të mbikonvergjuara (HCI), e cila ofron një kapacitet të lartë dhe teknologji të avancuar për menaxhimin e burimeve dhe hapësirës së ruajtjes së të dhënave. Për këtë infrastrukturë është hartuar dhe zbatuar edhe plani i mirëmbajtjes vjetore. Janë ndërmarrë masa për të garantuar disponueshmëri të lartë dhe për të reduktuar kohën e ndërprerjeve, duke siguruar një monitorim 24/7 dhe trajnime të rregullta për stafin IT.
Gjatë vitit 2024 është riorganizuar Drejtoria e Monitorimit dhe Analizës, duke rritur kapacitetet njerëzore për monitorimin e transmetimeve audiovizive, duke shtuar shqyrtimet cilësore që lidhen me diskriminimin, gjuhën e urrejtjes, format e ndryshme të çrregullimeve në informacion, proceset zgjedhore etj.
Ka përfunduar procesi i digjitalizimit të dokumentacionit arkivor të njësisë së arkivë-protokollit, duke mundësuar optimizimin e eficencës dhe reduktimin e konsiderueshëm të kohës së qarkullimit shkresor në institucion. Institucioni ka digjitalizuar gjithashtu të gjitha aktivitetet e tij, të cilat publikohen në mënyrë të vazhdueshme në faqen zyrtare, duke u administruar përmes një sistemi të centralizuar të Menaxhimit të Përmbajtjes (CMS).
Drejtoria e Botimit dhe Ndërveprimit në AMA ka zhvilluar gjithashtu një sistem të automatizuar për mbledhjen dhe analizën e të dhënave mbi OSHMA-të duke i dhënë fund një procesi të lodhshëm manual dhe të ngadalshëm, në koordinim dhe ruajtjen e evidencave. Me implementimin e platformës së re, është siguruar automatizimi dhe centralizimi i të dhënave, rritja e efikasitetit në përpunimin dhe analizimit të informacionit, si dhe monitorimi në kohë reale i tregut audio dhe audioviziv.

AMA vijon publikimin e Buletinit Periodik për të siguruar transparencë mbi sektorin audioviziv në Shqipëri, duke analizuar tendencat ekonomike, strukturën e pronësisë, aspektet teknike dhe karakteristikat e personelit. Edicioni i 10-të për vitin 2023 përfshin të dhëna mbi performancën financiare të televizioneve, radiove dhe platformave kabllore. Një fokus i veçantë i është kushtuar procesit të digjitalizimit dhe aksesueshmërisë në internet për personat me aftësi të kufizuara. Bashkëpunimi me partnerë të ndryshëm, që punojnë në fushën e medias, i ka shërbyer Autoritetit për mbështetjen e realizimin e projekteve në dobi të përmirësimit të raportimit në median audiovizive, të pasurimit të literaturës profesionale, në interes të standardizimit të raporteve mes punëdhënësit dhe punëmarrësit apo sensibilizimit për disa tematika me rendësi në aktualitet.

Të nderuar deputetë,
Në raportin e veprimtarisë 1-vjeçare të AMA-s, ju do të gjeni në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e angazhimit institucional, sipas njësive përbërëse, por dhe sipas realiteteve dhe sfidave që përballet tregu audio/audioviziv në vendin tonë. Kjo pasqyrë konkrete e dinamikës së punës në AMA shikohet në çdo rast në raport me kërkesat dhe nevojat konkrete të publikut, si dhe në akord me standardet që respekton një vend që dëshiron me vendosmeri anëtarësimin me të drejta të plota në BE.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Perpara Analiza 9-mujore në AMA, ankesat më të shumta për shkelje të privatësisë
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara