Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi ishte e ftuar në
Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, ku u prezantua studimi,
“Profesioni i gazetarit dhe gazetaria në epokën e ndryshimeve teknologjike
dhe mediave të reja”.
Për Znj.Krasniqi gjetjet e këtij studimi, që Prof. Dr. Mark
Marku, paraqiti para një tryeze diskutimi, me të ftuar pedagogë, gazetarë dhe
profesionistë të komunikimit dhe gazetarisë, janë tejet interesante e të
vlefshme, që ndihmojnë në analizën dhe kuptimin e trendeve të tregut mediatik.
Sipas studimit të bërë ga Departamenti i Gazetarisë dhe
Komunikimit, teknologjia dixhitale ka hyrë dhe është integruar në peizazhin
mediatik në Shqipëri. Në një masë të konsiderueshme gazetarët e përdorin atë
dhe janë të hapur psikologjikisht për ta vendosur në përdorim. Tjetër është
teknologjia dixhitale dhe tjetër gazetaria dixhitale. Ndihet një frenim dhe
prapambetje në përpunimin dhe zbatimin e standardeve të gazetarisë dixhitale.
Ka prirje që potenciali i gazetarisë dixhitale të përdoret për të bërë gazetari
të periudhës të teknologjive analoge dhe të mediave lineare.
Teknologjia e ka ndryshuar komunikimin dhe tanimë roli i
gazetarëve ka evoluar duke u bërë gjithnjë e më kompleks. Përshtatja me këtë
realitet të ri, ndërthurja e mjeteve të reja komunikuese dhe gjeneruese të
përmbajtjeve me gazetarinë klasike që njihnim deri pak vite më parë, ka krijuar
një paradigmë të re në prodhimin e përmbajtjeve mediatike.
AMA ka tashmë një traditë shumë të mirë bashkëpunimi me
Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit dhe përkrahja e studimeve të tilla
është një kontribut i çmuar, qoftë për studimin e tregut mediatik dhe
tendencave që vihen re në të, qoftë për përfundimet që dalin prej tyre dhe që
shërbejnë si orientim i mirë për profesionistët e medias dhe këtij brezi të ri
në fushën e komunikimit.