Autoriteti i Mediave Audiovizive ka realizuar 297 shqyrtime tematike të përmbajtjeve audiovizive gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së tyre me kërkesat ligjore.
Nga monitorimi dhe analiza e përmbajtjeve janë identifikuar gjithsej 48 raste shkeljesh, ku problematikat kryesore lidhen me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin, reklamat problematike, mbrojtjen e fëmijëve, përmbajtjet joetike, si edhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe jetës private.
Sipas të dhënave të AMA-s, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi përbëjnë kategorinë me numrin më të lartë të rasteve të evidentuara, me 22 shkelje.
- 13 raste për reklama problematike;
- 6 raste për mbrojtjen e fëmijëve;
- 5 raste për përmbajtje joetike dhe të papërshtatshme;
- 2 raste për mbrojtjen e të dhënave personale dhe jetës private.
Të dhënat janë pjesë e procesit të monitorimit të përmbajtjeve audiovizive nga AMA, në kuadër të zbatimit të kërkesave ligjore dhe standardeve që lidhen me transmetimet audiovizive në Shqipëri.