Në zbatim të kompetencave të përcaktuara në ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka përgatitur projektaktin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Rregulloren ‘Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve’”, e miratuar fillimisht me vendimin nr. 99, datë 07.06.2017.
Ky projektakt synon të përmirësojë më tej kuadrin rregullator për dhënien e autorizimeve, duke reflektuar zhvillimet aktuale të tregut mediatik, sfidat teknologjike dhe nevojën për forcimin e masave që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të transmetimit, integritetin e sinjalit dhe konkurrencën e ndershme. Në këtë kuadër, AMA ka ndërmarrë një tur tryezash konsultative me grupet e interesit në disa qytete të vendit, me qëllim sigurimin e një procesi sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Pas ndalesës së parë në Kukës, konsultimet publike vijuan në qytetin e Dibrës, ku u organizua një tryezë pune me pjesëmarrjen e operatorëve lokalë të autorizuar dhe përfaqësuesve të AMA-s. Gjatë këtij takimi, u prezantuan dhe u diskutuan propozimet konkrete për ndryshimet në rregullore, të cilat parashikojnë ndër të tjera:
Rritjen e transparencës dhe efektivitetit të procedurave të dhënies së autorizimeve;
Përmirësimin e kritereve për vlerësimin e aplikimeve dhe forcimin e detyrimeve për mbrojtjen e të drejtave të transmetimit;
Forcimin e mekanizmave për parandalimin e manipulimit të shpërndarjes së sinjalit audioviziv, në funksion të respektimit të licencave dhe kufijve të autorizuar.
Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi, në fjalën përshëndetëse drejtuar pjesëmarrësve, theksoi rëndësinë e këtyre konsultimeve në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullator dhe rritjes së besimit publik:
“Autoriteti i Mediave Audiovizive mbetet i palëkundur në angazhimin e tij për të parandaluar manipulimin e shpërndarjes së sinjalit tokësor për qëllime që bien ndesh me licencimin dhe të drejtat e transmetimit. Konsultimet si kjo në Dibër, janë thelbësore për të ndërtuar një marrëdhënie bashkëpunimi me operatorët dhe për të garantuar një treg të ndershëm, të sigurt dhe të qëndrueshëm.”
Znj. Krasniqi vuri gjithashtu theksin te rëndësia e përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian dhe me praktikat më të mira rregullatore të vendeve anëtare, si një domosdoshmëri për garantimin e një tregu të konsoliduar mediatik që respekton konkurrencën e ndershme, të drejtat e konsumatorit dhe integritetin e të gjithë zinxhirit të shpërndarjes audiovizive.
Autoriteti i Mediave Audiovizive do të vijojë turin e tryezave konsultative edhe në qytete të tjera të vendit, në funksion të përfshirjes sa më të gjerë të aktorëve të interesuar dhe për të garantuar që çdo ndryshim i propozuar në kuadrin nënligjor të bazohet në dialog të hapur, transparencë dhe mirëkuptim të ndërsjellë.