AMA pret në takim misionin parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, i Asamblesë Parlamentare të KiE-së.
Ditën e enjte, më 1 Qershor 2017, në Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA, u zhvillua një takim pune me anëtarë të misionit parazgjedhor të Komisionit Ad Hoc për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.
Delegacioni që kryesohej nga Z. Paolo Corsini, i Grupit Parlamentar të Partive Socialise kishte në qendër të interesimit mbi situatën politike dhe zhvillimet në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit 2017, si dhe për rolin dhe angazhimin e AMA-s në këtë proces.
Kryetari i Autoritetit, Z. Gentian Sala, prezantoi para delegacionit kontributin konkret të institucionit gjatë periudhës njëmujore të fushatës zgjedhore, ku në bazë të Kodit Elektoral të Republikës së Shqipërisë dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit AMA – KQZ, Autoriteti lë në dispozicion infrastrukturës teknike dhe teknologjike të monitorimit të subjekteve audio dhe audiovizive, si dhe burimet e nevojshme njerëzore. Përqëndrimi i AMA-s në këtë periudhë është që shërbimi i ofruar dhe rezultatet e monitorimit të jenë sa më të sakta dhe profesionale, sikundër kanë qenë dhe zgjedhjet e kaluara, të vlerësuara pozitivisht dhe nga misioni I vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.
AMA bashkëpunon në nxjerrjen dhe përpunimin e rezultateve të mënyrës së mbulimit që i bëjnë fushatës zgjedhore subjeketet audio dhe audiovizivë me Bordin e Monitorimit të Medias, BMM, si strukturë ligjore e KQZ-së. Gjatë takimit u nënvizua fakti se objekt i monitorimit janë mënyra se si pasqyrohet fushata në edicionet informative apo programet e dedikuara për garën mes partive politike dhe kandidatëve.
Interesimit të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, mbi të dhënat nga aktiviteti i operatorëve lokalë, rajonalë dhe kombëtarë, z. Sala iu përgjigj duke prezantuar produktin cdo 6 muaj të AMA-s, në print dhe online, me treguesit e performancës së tregut audioviziv në Republikën e Shqipërisë, apo me publikimin në internet cdo muaj të ndarjes kohore që subjektet iu lënë partive politike dhe institucioneve, si dhe volumit të reklamave.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 1 Qershor 2017