Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në vijim të shqyrtimit të ankesave të mbërritura pranë Autoritetit në lidhje me mungesën e sinjalit të televizionit kombëtar “Klan” dhe televizionit “Klan Plus” në platformën satelitore “Digitalb”, ka ndjekur procedurat përkatëse administrative, në cilësinë e autoritetit rregullator të shërbimeve audiovizive, në mbrojtje të interesit publik.
AMA ka kërkuar zyrtarisht prej shoqërisë “Digit-Alb”sh.a., dhe televizionit “Klan” paraqitjen e shpjegimeve si dhe dokumentacionin përkatës për këtë çështje.
Po ashtu, AMA i është drejtuar Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, duke kërkuar ndërhyrjen e këtij institucioni, me qëllim garantimin e të drejtave të konsumatorëve dhe shmangien e praktikave të pandershme tregtare në fushën e shërbimeve mediatike audiovizive, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorëve” dhe Marrëveshjes së Bashkëpunimit lidhur midis dy institucioneve tona.
Në vijim të komunikimeve të mëtejshme shkresore, shoqërisë “Digitalb” sh.a., iu kërkua të depozitojë kontratën tip që kjo shoqëri lidh me abonentët e saj, kontratë e cila në thelbin e saj parashikon, ndër të tjera, se “Digitalb mund të ndryshojë përmbajtjen e programeve të tij gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate, sipas politikave dhe programacionit që vendos “Digitalb”. Kontrata në fjalë iu dërgua Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit si institucion përgjegjës për vlerësimin e plotë të çështjes. Deri tani nuk ka ende një vlerësim nga ky Komision mbi kërkesat tona.
AMA rithekson se mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet që sigurojnë konkurrencën në treg për shmangien e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
9 shtator 2019