E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Respektimi i standardit të gjuhës shqipe, takim me OSHMA-të në qarkun e Vlorës dhe Fierit

Respektimi i standardit të gjuhës shqipe, takim me OSHMA-të në qarkun e Vlorës dhe Fierit

Tryeza e diskutimit “Respektimi i standardit të gjuhës shqipe në transmetimet audiovizive”, organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, pas Tiranës dhe Shkodrës, mblodhi të enjten, më 21.06.2018, në qytetin e Vlorës, përfaqësues nga OSHMA-të e qarqeve Vlorë dhe Fier.

Nënkryetari i AMA-s, z. Sami Nezaj, që në hapje të Tryezës, u ndal në rëndësinë që ka ky aspekt në përmbajtjet që transmetojnë subjektet audio dhe audiovizive, me ndikim të drejtpërdrejtë në edukimin e publikut, si dhe në ruajtjen e vlerave më të mira të shqipes së folur dhe asaj të shkruar. “Mjetet e informimit masiv kanë rol të jashtëzakonshëm në publik, ndaj dhe AMA është duke ndarë me grupet e interesit mendime dhe propozime në këto takime, për të shikuar dhe mundësinë e ndërhyrjes për përmirësime në kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi.

Drejtori i Programeve në AMA, z. Arben Muka, tha se nga fundi i vitit 2017 dhe në vijim janë duke u shqyrtuar përmbajtjet që emetohen nga subjektet audiovizive kombëtare dhe rajonale e lokale me fokus respektimin e shqipes së folur dhe të shkruar, duke i tërhequr vëmendjen atyre me problematikat e hasura. Përgjegjësi i Sektorit të Përmbajtjes dhe Analizës, z.  Zimo Krutaj, prezantoi për të pranishmit në Tryezë disa nga problematikat kryesore të trajtuara me shembuj ilustrues, si psh., rastet e shmangieve nga norma gjuhësore e shqipes, gabimet sintaksore e përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja që vihen re,  gabimet drejtshkrimore në titrat e televizioneve informative etj.

Përfaqësues nga subjektet e dy qarqeve, si TV 6+1, TV Apollon, TV 4 Plus, TV Jug, Radio Val e kaltër etj., vlerësuan angazhimin e AMA-s për tryezat, si dhe prezantuan disa aspekte dhe problematika që ka në respektimin e standardit të shqipes së folur dhe të shkruar, duke i lidhur këto më shumë me vështirësitë ekonomike, stafin e reduktuar, por dhe me mangësitë në edukimin e reporterëve dhe redaktorëve. Ata mbështetën idenë për amendime të ligjit 97/2013 dhe Kodit të Transmetimit të AMA-s, për respektimin e standardeve të shqipes së folur dhe të shkruar në përmbajtjet e emetuara nga OSHMA-të.

Autoriteti i Mediave Audivizive

Perpara Tryezë diskutimi në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës mbi “Respektimin e standardit të gjuhës shqipe në transmetimet audiovizive”
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara