AMA fillon aksionin kundër operatorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa licencë
Autoriteti i Mediave Audiovizive, në kuadër të ushtrimit të funksioneve dhe përmbushjes së detyrave ligjore për monitorimin e operatorëve audio dhe audiovizive, do të ndërmarrë një aksion gjithëpërfshirës kundër ushtrimit të veprimtarisë audio dhe audiovizive në mënyrë të kundërligjshme, pa autorizim nga AMA. Aksioni do të fillojë nga Qarku i Fierit dhe do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe, në fokus të tij do të jenë operatorët të palicencuar apo të paautorizuar nga AMA, të cilët ofrojnë shërbime transmetimi audio, audioviziv dhe shërbime të tjera mbështetëse.
Për çdo operator që do të identifikohet se është duke zhvilluar shërbime transmetimi të pa autorizuar, AMA do të procedojë me masat administrative ndëshkuese për dënimin me gjobë dhe, në bazë të nenit 80 të Ligjit nr. 97/2013, do të vijojë me bllokimin e pajisjeve, inventarizimin dhe sekuestrimin e tyre.
Duke vlerësuar se ky aksion do të vijë në shërbimin të një konkurrence sa më të drejtë dhe të ndershme, AMA, ka venë në dispozicion adresën zyrtare denonco@ama.gov.al ku qytetarët ftohen të denoncojnë, sinjalizojnë, apo të japin çdo informacion në lidhje me subjektet që ofrojnë shërbime transmetimi pa autorizim nga AMA.
Tiranë, 08.09.2015
Autoriteti i Mediave Audiovizive