Seancë dëgjimore me aplikantët për Këshillin e Ankesave
Ditën e hënë, datë 14 shtator 2015, Bordi Drejtues i Autoritetit të Mediave Audiovizive, me praninë e kryetarit, z. Gentian Sala, zv/kryetarit, z. Sami Neza, si dhe anëtarëve, znj. Suela Musta, z. Zylyftar Bregu, z. Gledis Gjipali dhe z. Piro Misha zhvilloi një seancë dëgjimore me aplikantët për Këshillin e Ankesave.
Këshilli është një strukturë e re që do të funksiojë pranë AMA-s, në zbatim të ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, me objekt pune mbikëqyrjen e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga Autoriteti, të cilat kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit e të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të miturve, të drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik, lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet e ofruesve të shërbimeve audiovizive etj.
Seanca dëgjimore ishte vijim i procesit të pranimit të kandidaturave për pozicionet kryetar dhe anëtarë të Këshillit të Ankesave, bazuar në vendimin no. 58, datë 10 korrik 2015 të AMA-s. Bordi Drejtues dëgjoi të gjithë aplikantët, sipas listës së shpallur në datën 14 gusht 2015.
Rezultatet e përzgjedhjes do të shpallen në faqen zyrtare të Autoritetit: www.ama.gov.al.
Tiranë, më 14 shtator 2015