Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në kuadër të Buletinit Periodik, tregojnë se pjesa më e madhe e të punësuarve në televizione dhe radio në Shqipëri kanë përfunduar arsimin e lartë.
Sipas statistikave të mbledhura nga ekipi i analizës së të dhënave në AMA, gjatë vitit 2025, 73% e punonjësve në televizione dhe 74% e atyre në radio rezultojnë me arsim të lartë. Një panoramë e ndryshme paraqitet te operatorët kabllorë, ku vetëm 36% e të punësuarve kanë arsim të lartë.
Në këtë kategori të operatorëve kabllorë mbizotëron arsimi i mesëm, me 56% të punonjësve. Ndërkohë, kjo kategori arsimimi përfaqëson 25% të të punësuarve në televizione dhe 26% në radio.
Sa i përket arsimit 8-vjeçar, statistikat tregojnë se 1% e punonjësve në televizione dhe 5% në operatorët kabllorë kanë këtë nivel arsimimi. Në radio, përqindja e raportuar është 0%.
Një tjetër kategori e përfshirë në statistika janë studentët. Në operatorët kabllorë, 3% e të punësuarve rezultojnë studentë, ndërsa në televizione dhe radio nuk raportohet asnjë punonjës në këtë kategori.
Këto statistika janë pjesë e Buletinit Periodik, i cili publikohet çdo vit dhe synon të pasqyrojë zhvillimet dhe dinamikën e tregut të medias audiovizive në Shqipëri.
Përveç rolit informues, buletini shërben edhe si një bazë të dhënash për studime, analiza dhe botime kërkimore mbi sektorin mediatik.
Buletini Periodik i AMA-s mund të konsultohet online në adresën:
https://ama.gov.al/ova_dep/buletini-periodik/

