Të nderuar përfaqësues të operatorëve të ritransmetimit,
Të nderuar mbajtës të të drejtave të transmetimit,
Ju falënderoj që jeni sot këtu.
Kur një familje ulet të shohë një ndeshje, në ekran sheh lojën. Ju që jeni në këtë sallë e dini çfarë është dashur që ajo ndeshje të mbërrijë atje. Dikush ka investuar për ta prodhuar transmetimin. Dikush ka paguar për të drejtat. Dikush ka ndërtuar rrjetin dhe mban përgjegjësi për shërbimin që merr abonenti. Kur një operator pirat merr të njëjtin transmetim dhe e shet pa autorizim, ai konkurron për të njëjtin abonent duke shmangur pikërisht koston që keni mbajtur ju.
Kjo është konkurrencë e pandershme dhe ju prek drejtpërdrejt. Çdo abonim që kalon te një shërbim pirat i heq të ardhura tregut të ligjshëm. Këto janë të ardhurat me të cilat blihen të drejta për sezonin e ardhshëm, financohet prodhimi dhe përmirësohet shërbimi për publikun. Kur pirateria cenon mundësinë për t’i kthyer këto investime, ajo cenon edhe vendimin për t’i bërë ato nesër.
Mendoni për vendimin që merrni kur blini të drejtat për një sezon të tërë. Angazhimi financiar merret përpara se të dini sa abonentë do të keni. E njëjta gjë vlen për një prodhues që fillon punën për një film, apo për një operator që shtrin rrjetin në një zonë të re. Secili merr përsipër një risk dhe e mbulon atë me të ardhurat që pret nga tregu. Shërbimi pirat hyn në këtë treg pasi të tjerët e kanë marrë përsipër riskun, e kanë bërë investimin dhe e kanë sjellë produktin deri te publiku. Pastaj konkurron për të ardhurat që duhet ta mbajnë gjallë këtë investim.
Teksa abonentit i paraqitet një ofertë me çmim më të ulët, kostoja reale e asaj oferte i mbetet dikujt tjetër. Ajo i mbetet mbajtësit të së drejtës që humbet vlerë nga licenca e vet, operatorit që duhet të financojë shërbimin me më pak të ardhura dhe, në fund, publikut, kur industria ka më pak mundësi të blejë përmbajtje cilësore. Ky është dëmi që duhet të kemi parasysh kur vendosim sa shpejt do të reagojmë.
Disa prej jush konkurrojnë çdo ditë për të njëjtin klient. Por keni një interes të përbashkët që asnjë konkurrent i paligjshëm të mos ia shesë atij klienti përmbajtjen për të cilën keni paguar ju.
Mbi këtë interes ju ftoj të ngremë Koalicionin kundër Piraterisë Audiovizive dhe ta formalizojmë me një Memorandum Bashkëpunimi. Ky është një koalicion i AMA-s me subjektet e ligjshme dhe të ndershme të tregut. Në këtë sallë janë si ata që mund ta dokumentojnë shkeljen sapo ta konstatojnë, ashtu edhe ata që mund të zbatojnë masën në rrjetin e tyre.
Sipas të dhënave që Drejtoria e Inspektimit dhe Monitorimit e AMA-s ka përmbledhur për vitin 2026, deri tani kemi kryer 222 inspektime në terren dhe kemi vendosur 11 gjoba, pesë prej tyre për mosrespektim të të drejtave të transmetimit. Pas raportimeve të strukturave tona janë mbyllur 32 serverë të paautorizuar dhe janë hequr tri aplikacione. Janë kryer edhe tri sekuestrime të pajisjeve të përdorura për veprimtari pirate.
Inspektimi në terren na lejon të shohim si ofrohet realisht një shërbim. Raportimi në platformat online na lejon të ndërhyjmë edhe atje ku shërbimet pirate reklamohen dhe gjejnë klientë. Për një treg që tashmë funksionon njëkohësisht në rrjetet tona dhe në platformat ndërkombëtare, puna duhet të zhvillohet në të dyja drejtimet.
Sipas të njëjtave të dhëna të AMA-s, nga 4 shkurti deri më 16 nëntor, TikTok ka hequr 2 776 video dhe foto që promovonin piraterinë televizive, pas raportimeve të AMA-s. Platforma tregon vullnet për të bashkëpunuar. Nga ana jonë, çdo raportim shoqërohet me dokumentacion të plotë. Identifikojmë materialin dhe dokumentojmë se kush e mban të drejtën për përmbajtjen përkatëse. Kjo i jep platformës bazën për ta shqyrtuar rastin dhe për të vepruar.
Kur një apo dy platforma ndërkombëtare, jashtë juridiksionit të AMA-s, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë vepron vullnetarisht mbi bazën e raportimeve tona të dokumentuara, pres nga operatorët vendas të njëjtën gatishmëri. Me ju kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë institucionale për shkak të autorizimit për ritransmetim. Si ofrues interneti, keni ekipet që mund të zbatojnë masën në rrjetet tuaja. Si ritransmetues, jeni ndër të parët që preken kur një shërbim pirat u merr abonentë ofertave tuaja të ligjshme.
Nga bashkëpunimi me TikTok kemi nxjerrë edhe një mësim për punën tonë. Një raportim i cili duhet dhe shpjegon saktë çfarë është konstatuar dhe kujt i përket e drejta, sjell si rezultat uljen e kohën që pala tjetër shpenzon për të kërkuar sqarime. Prandaj edhe në këtë koalicion AMA do të kërkojë të njëjtin standard dokumentimi, duke filluar nga vetja. Kur i përcjellim një rast operatorit, ai duhet të ketë të dhëna të qarta që mund t’ia kalojë menjëherë ekipit teknik.
Këtë vit, AMA i ka referuar AKEP-it për bllokim 399 lidhje, domene dhe adresa IP. Në kuadër të Task Forcës ndërinstitucionale, AMA dhe AKEP kryen inspektime të përbashkëta. Sipas konfirmimeve të përcjella nga AKEP-i, subjektet e kontrolluara kishin deklaruar se e kishin zbatuar bllokimin. Raporti i inspektimeve të AMA-s tregon se një numër i konsiderueshëm prej tyre ende nuk e kishte zbatuar masën.
Kjo mospërputhje është e papranueshme.
Kur kemi një konfirmim që bie ndesh me atë që gjejmë në terren, duhet të kthehemi te rasti konkret.
Cila lidhje u kontrollua? Në cilën orë u zbatua masa? A mbeti ndonjë lidhje tjetër e aksesueshme? Janë pyetje që mund të marrin përgjigje vetëm nëse secili operator dokumenton punën e vet kur e kryen. Prandaj raportimi për çdo lidhje do të jetë pjesë e mënyrës se si do ta ndjekim zbatimin.
Më 1 korrik të këtij viti raportova në Kuvend, në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, për luftën kundër piraterisë dhe për punën që kemi përpara në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian. Në zbatim të rekomandimit të Këshillit, më 13 korrik AMA mblodhi institucionet për të diskutuar ngritjen dhe funksionimin e Task Forcës kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive. Kërkesa për më shumë bashkëpunim dhe mbikëqyrje është ngritur edhe nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Mbrojtja e transmetimeve ka një bazë ndërkombëtare. Konventa e Romës e vitit 1961, që ka hyrë në fuqi për Shqipërinë në shtator të vitit 2000, ua njeh organizatave transmetuese, në nenin 13, të drejtën të autorizojnë ose të ndalojnë ritransmetimin e transmetimeve të tyre. Për ngjarjet që ndiqen drejtpërdrejt, Komisioni Europian ka dhënë edhe një orientim praktik. Në Rekomandimin 2023/1018 të 4 majit 2023, për luftën kundër piraterisë në internet të ngjarjeve sportive dhe të ngjarjeve të tjera të transmetuara drejtpërdrejt, Komisioni nxit bashkëpunimin mes mbajtësve të të drejtave dhe ndërmjetësve, si dhe trajtimin e shpejtë të njoftimeve për transmetime të paautorizuara. Për ne kjo do të thotë të organizojmë punën që të mund të ndërhyjmë ndërsa ngjarja ende po transmetohet.
Bashkëpunimi nis me mbajtësin e së drejtës. Sapo konstatoni një transmetim pa autorizim, i paraqisni AMA-s lidhjen e saktë, identifikoni përmbajtjen dhe kohën e konstatimit dhe vini në dispozicion dokumentacionin që provon të drejtën tuaj. Nëse ngjarja po transmetohet drejtpërdrejt, e shënoni këtë që në raportimin e parë. Një ankesë e plotë na lejon ta verifikojmë rastin dhe të veprojmë ndërsa transmetimi është ende në zhvillim.
AMA verifikon ankesën dhe, kur plotësohen kushtet, ia referon zyrtarisht rastin AKEP-it. AKEP-i njofton operatorët sipas procedurës përkatëse. Në platformën PENPA që ka zhvilluar AMA, operatorët pjesëmarrës mund të ndjekin rastet që u përcjellim, të komunikojnë drejtpërdrejt me institucionin dhe, pas njoftimit zyrtar të AKEP-it, të raportojnë çfarë kanë bërë në rrjetin e tyre.
Për secilën lidhje, domen ose adresë IP të referuar, kërkojmë një përgjigje të plotë. Kur masa është zbatuar, operatori shënon datën dhe orën. Kur ka një pengesë teknike ose duhet një saktësim, operatori e raporton menjëherë dhe shpjegon arsyen. Nëse njoftimi përmban disa lidhje, duhet të dimë çfarë është bërë për secilën. Me këtë informacion, AMA mund të verifikojë zbatimin dhe të ndjekë menjëherë rastet e hapura.
Po marr një shembull. Mbajtësi i së drejtës konstaton gjatë pjesës së parë të një ndeshjeje se sinjali po ritransmetohet në disa lidhje pa autorizim. Ai dërgon të dhënat dhe provën e së drejtës. AMA shqyrton rastin dhe e referon zyrtarisht. Pas njoftimit të AKEP-it, personi i kontaktit ia përcjell menjëherë rastin ekipit teknik. Sapo të zbatohet masa, operatori shënon orën dhe rezultatin për secilën lidhje. Nëse dy lidhje janë bllokuar, ndërsa për një të tretë duhet saktësim, AMA e merr vesh menjëherë cilën lidhje duhet të ndjekë. Kjo ka rëndësi pikërisht në ato minuta kur transmetimi po vazhdon.
Nga ana jonë, dua që kjo mënyrë pune të na ndihmojë të shohim ku humbet koha. Mund të ketë raste kur dokumentacioni plotësohet me vonesë, raste kur duhen saktësuar të dhënat teknike dhe raste kur vonesa ndodh pas njoftimit zyrtar. Kur secili hap është i dokumentuar, mund të ndërhyjmë aty ku ka lindur pengesa dhe të vlerësojmë nëse puna po përmirësohet nga një rast në tjetrin.
Pjesëmarrja në Memorandum është vullnetare. Me nënshkrimin, mbajtësit e të drejtave angazhohen të raportojnë shpejt dhe me dokumentacion të plotë. Nga operatorët pres që të caktojnë një kontakt që mund të vërë në lëvizje ekipin teknik, të zbatojnë masën sipas njoftimit të AKEP-it dhe të raportojnë me saktësi rezultatin. AMA merr përsipër të verifikojë ankesën, ta referojë dhe ta ndjekë deri te verifikimi i zbatimit.
Në këtë sallë keni mundësinë të mbroni një interes të përbashkët edhe kur në treg jeni konkurrentë. Një mbajtës i të drejtave që raporton në kohë i jep mundësi operatorit të ndërhyjë. Një operator që zbaton masën me shpejtësi mbron vlerën e një të drejte për të cilën dikush tjetër ka investuar. Dhe një institucion që verifikon rezultatin u jep të dyja palëve një bazë për të pasur besim te bashkëpunimi. Ky është angazhimi që ju kërkoj të marrim sot.
Ju ftoj ta nënshkruani Memorandumin e Bashkëpunimit dhe të bëheni pjesë këtij Koalicioni.
Kur të mblidhemi përsëri, do të shohim sa shpejt kemi ndërhyrë dhe për sa raste e kemi verifikuar bllokimin. Me çdo ndërhyrje të kryer në kohë, mbrojmë të drejtën për të cilën dikush në këtë sallë ka investuar dhe i japim më shumë siguri subjektit që po merr vendimin të investojë përsëri.
Ju falënderoj.



























