Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi dhe Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela, nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit për forcimin e luftës kundër piraterisë digjitale audiovizive.
Ky Memorandum vjen në përmbushje të detyrimeve të AMA-s që rrjedhin nga Rezoluta e Kuvendit për vitin 2026 dhe vendos një mekanizëm të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve. Ai parashikon identifikimin dhe dokumentimin e shkeljeve, shkëmbimin e informacionit dhe referimin e rasteve që mund të përbëjnë vepra penale, me synim një reagim më të koordinuar dhe më efikas, në respekt të kompetencave ligjore të secilit institucion.
Gjatë nënshkrimit, Znj. Krasniqi theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor përballë formave gjithnjë e më të sofistikuara të piraterisë. Ajo falënderoi Prokurorin e Përgjithshëm për angazhimin në këtë përpjekje të përbashkët, duke vlerësuar kontributin e marrëveshjes në mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe në zhvillimin e një tregu audioviziv në përputhje me standardet europiane.
Znj. Krasniqi nënvizoi se mbrojtja e të drejtave të transmetimit mbetet një angazhim i vazhdueshëm i AMA-s për të mbrojtur punën e krijuesve, investimet e operatorëve të ligjshëm dhe konkurrencën e ndershme në tregun audioviziv. Pirateria dëmton industrinë, zhvlerëson punën krijuese dhe pengon investimet në përmbajtje cilësore për publikun.




