Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive Znj. Armela Krasniqi mori pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, një tryezë ndërinstitucionale që synon forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit për promovimin e barazisë gjinore.
Në takim morën pjesë drejtues të lartë të ministrive dhe institucioneve anëtare të Këshillit, përfaqësues të institucioneve të pavarura, përfshirë Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare me prani në Tiranë.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e politikave të koordinuara, bashkëpunimit institucional dhe krijimit të një hapësire publike e mediatike që promovon përfaqësim të drejtë, respektimin e dinjitetit dhe një gjuhë pa diskriminim e stereotipe gjinore.
Për Autoritetin e Mediave Audiovizive, angazhimi për barazinë gjinore lidhet drejtpërdrejt me mandatin e tij ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, shmangien e stereotipeve gjinore, respektimin e dinjitetit njerëzor dhe garantimin e një përfaqësimi të drejtë të grave dhe vajzave në përmbajtjet audiovizive.
“Ky angazhim është reflektuar edhe në veprimtarinë e AMA-s gjatë vitit 2026. Nga janari deri në shtator janë shqyrtuar 8 raste që lidhen me gjuhë me natyrë seksiste dhe diskriminuese. Në 4 prej tyre Autoriteti ka vendosur tërheqje vëmendjeje, ndërsa në 3 raste janë vendosur sanksione financiare. Në një rast tjetër, pas shqyrtimit, është vlerësuar se përmbajtja qëndronte brenda kufijve të lirisë së shprehjes dhe debatit publik”- tha kryetarja e AMA-s. Ajo shtoi se, ky qëndrim pasqyron nevojën për të ruajtur një ekuilibër mes mbrojtjes së dinjitetit dhe të drejtave të individit, nga njëra anë, dhe garantimit të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të debatit publik, nga ana tjetër.
Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore, i cili nisi punën përmes kësaj mbledhjeje, përbën një mekanizëm për forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe për përkthimin e angazhimeve për barazinë gjinore në masa konkrete dhe të matshme.
Krasniqi tha se AMA do të vijojë të kontribuojë, brenda mandatit të saj ligjor, për një mjedis audioviziv që respekton barazinë, dinjitetin dhe të drejtat, duke garantuar njëkohësisht lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e debatit publik.











