Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në prezantimin e çmimit “Gazetaria mbron jetën”, një nismë që synon të njohë dhe të promovojë raportimin e përgjegjshëm mediatik mbi vetëvrasjen dhe shëndetin mendor në Shqipëri.
Në këtë aktivitet u nënvizua rëndësia e një trajtimi të kujdesshëm të këtyre tematikave, duke pasur parasysh ndikimin që raportimi mediatik mund të ketë te familjarët e personave të përfshirë, te publiku dhe veçanërisht te individët që përballen me situata të vështira emocionale apo psikologjike.
Në këtë kuadër, media ka një përgjegjësi të veçantë për mënyrën se si zgjedh të informojë mbi raste të vetëvrasjes. Respektimi i dinjitetit dhe privatësisë, shmangia e detajeve të panevojshme dhe mbrojtja e personave vulnerabël janë elementë thelbësorë të një raportimi profesional dhe etik.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i nismës është roli që gazetaria mund të luajë në trajtimin e shëndetit mendor. Informimi i saktë dhe i balancuar mund të ndihmojë në luftën kundër paragjykimeve dhe stigmës, duke nxitur një kuptim më të mirë të problematikave të shëndetit mendor dhe duke orientuar publikun drejt informacionit dhe mbështetjes së duhur.
Çmimi “Gazetaria mbron jetën” vjen si një thirrje për një qasje mediatike që vendos përgjegjësinë njerëzore në të njëjtin nivel me atë profesional. Përmes këtij vlerësimi synohet të evidentohen praktikat e mira dhe të inkurajohet një gazetari që informon pa trajtuar lajmin si të bujshëm, respekton dhimbjen e individit dhe familjes dhe e trajton një çështje kaq të ndjeshme me kujdes, maturi dhe përgjegjshmëri.












