Reagim i Autoritetit të Mediave Audiovizive

DEKLARATË

Në lidhje me deklaratat publike mbi një situatë të pretenduar monopolizimi të tregut audioviziv dhe pretendimin se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) “po refuzon të reagojë” ndaj shqetësimeve të ngritura nga disa operatorë, AMA çmon të nevojshme të sqarojë opinionin publik mbi situatën faktike dhe ushtrimin e kompetencave të saj ligjore:

Faktet duhen lexuar në tërësinë e tyre, jo të përdoren në mënyrë selektive.

Faktet flasin më shumë se deklaratat:

Në Shqipëri janë 84 subjekte të autorizuara nga AMA për përsëritjen e shërbimeve audiovizive. Vetëm 5 prej tyre nuk kanë arritur ende marrëveshje tregtare me DigitAlb dhe Tring për të drejtat përkatëse të transmetimit.

Ky tregues nuk provon as mosveprim institucional dhe as kufizim të konkurrencës. Përkundrazi, rrethanat konkrete tregojnë një realitet që nuk mund të anashkalohet:
3 nga këto 5 subjekte janë konstatuar dhe gjobitur nga AMA për pirateri televizive, ndërsa një prej tyre administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Prandaj, mosarritja e dakordësisë së pesë marrëveshjeve tregtare nuk mund të paraqitet automatikisht si pasojë e një sjelljeje antikonkurruese. Në secilin rast duhen vlerësuar historiku i respektimit të ligjit, ligjshmëria e përmbajtjeve të transmetuara dhe përmbushja e detyrimeve që lidhen me të drejtat televizive.

AMA e ka trajtuar dhe vijon ta trajtojë këtë çështje brenda përgjegjësive të saj ligjore. Nga faktet e administruara deri tani nuk rezultojnë elemente që të provojnë se mosrealizimi i këtyre pesë marrëveshjeve përbën kufizim të konkurrencës apo që të përligjin akuzën për mosveprim të AMA-s.

Mbrojtja e konkurrencës nuk mund të përdoret si argument për të relativizuar piraterinë.

Asnjë subjekt nuk mund të kërkojë mbrojtjen e ligjit duke anashkaluar shkeljet e veta.

Nga komunikimet e vijueshme me bartësit e të drejtave Digitalb e Tring, AMA është vënë në dijeni për zgjatjen e afatit të marrëveshjeve tregtare me subjektet ripërsëritës deri në 31 Korrik 2026. Sipas informacioneve të përcjella në institucion nga bartësit e të drejtave (Digitalb dhe Tring) na është bërë e ditur arritja e dakordësisë me 79 subjekte.

Ndërkohë AMA i ka kërkuar informacion mbi procesin edhe Shoqatë së Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë (RrTL) dhe nuk ka pasur asnjë përgjigje.

AMA nuk vepron mbi bazën e presionit apo retorikës politike. Ajo vepron mbi bazën e ligjit, të fakteve dhe të interesit publik.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme, ju kujtojmë se ky është një shërbim televiziv me pagesë, të cilin abonentët e zgjedhin mbi baza tregtare, ndërkohë që qytetarët kanë qasje pa pagesë edhe në kanalet e transmetimit të lirë (FTA).

Autoriteti i Mediave Audiovizive mbetet i angazhuar për garantimin e një tregu audioviziv pluralist, funksional dhe konkurrues, duke ushtruar funksionet e tij mbi bazën e ligjit, të fakteve dhe të parimit të proporcionalitetit.

Perpara AMA paralajmëron qytetarët: “AlbKanale” jashtë funksionit, mos bëni më pagesa në këtë aplikacion

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL