Sot u shënua në Tiranë dita e dytë e trajnimit të ekspertëve europianë zhvilluar në kuadër të instrumentit TAIEX të Komisionit Europian, ku temë kryesore e takimit ishte “Zhvillimi i kuadrit ligjor për median audiovizive në përputhje me Direktivën për Shërbimet Mediatike Audiovizive (AVMSD) dhe Aktin Europian për Lirinë e Medias (EMFA)”.
Dita e dytë e trajnimit shënoi një seancë ndërvepruese mes stafit të AMA-s dhe ekspertëve të BE-së, zhvilluar përmes pyetjeve dhe përgjigjeve për mënyrën se si shtetet europiane por edhe ata të futur rishtaz në Europë, kanë përshtatur në vendet e tyre Direktivën për Shërbimet Mediatike dhe Aktin e Lirisë së Medias, problemet specifike që kanë pasur dhe kanë që kanë ende për implementimin e tyre.
Përveç stafit të Autoritetit të Mediave Audiovizive nuk munguan përfaqësues nga Parlamenti, të operatorëve që operojnë në tregun audioviziv, institucioneve shqiptare dhe atyre europiane si dhe grupe interesi.
Diskutimet u përqendruan në dispozitat e reja ligjore që lidhen me transparencën e pronësisë së medias, deklarimin e pronarëve përfitues, transparencën e financimit publik dhe reklamën shtetërore, si edhe me detyrimet rregullatore që burojnë nga Direktiva për Shërbimet Mediatike Audiovizive (AVMSD) dhe Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA).
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, sqaroi të pranishmit se Akti për Shërbimet Digjitale do të përfshijë disa çështje dhe institucione dhe AMA ka qenë shumë e angazhuar në këtë proces.
Ndërkaq ekspertët sugjeruan miratimin e një ligji të përgjithshëm të medias ku përfshihen të gjithë aktorët, pra mos të përdori një format specifik.
Një nga temat më të diskutuara gjatë trajnimit ishte transparenca mediatike. Krasniqi tregoi punën e Autoritetit të Mediave Audiovizive në ndërtimin dhe publikimin e regjistrit të transparencës së pronësisë së medias audiovizive, një bazë të dhënash e plotë dhe e detajuar deri te përfituesit fundorë dhe aksesueshme në faqen zyrtare të AMA-s.
Ajo u ndal gjithashtu te ndryshimet ligjore të miratuara në janar të këtij viti, që lidhen me forcimin e transparencës së pronësisë në media, si dhe te të dhënat që AMA publikon në Buletinin Periodik, ku përfshihen edhe informacionet mbi investimet e subjekteve mediatike në fusha të tjera të biznesit.
Në takim u diskutuan gjithashtu dhe modelet që vendet europiane kanë adaptuar për rregjistrimin e influencerave si biznes.
Në fund të takimit kryetarja e AMA-s Znj. Krasniqi shprehu dhe një herë mirënjohjen për ekspertët dhe partnerët europianë që bënë të mundur organizimin e këtij aktiviteti duke theksuar se bashkëpunimi me institucionet e Bashkimit Europian dhe autoritetet homologe të vendeve anëtare përbën një element thelbësor në procesin e modernizimit të politikave dhe praktikave rregullatore.


















