Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në Festivalin e Gazetarisë “Pyet”, një nismë e re që mblodhi profesionistë të medias, pedagogë dhe studentë për të diskutuar sfidat dhe të ardhmen e gazetarisë.
Festivali, i ideuar nga gazetarja e re Znj. Kristi Gongo, u kthye në një hapësirë reflektimi mbi misionin e gazetarisë sot, verifikimin e lajmit, sfidat e medias online dhe hapat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e standardeve profesionale.
Gjatë fjalës së saj, Znj. Krasniqi vuri theksin tek roli i AMA-s në forcimin e standardeve të gazetarisë dhe mbështetjen konkrete të iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e hapësirës mediatike shqiptare. Ajo theksoi se institucioni ka financuar projekte studimore të rëndësishme të realizuara nga profesorët Z. Artan Fuga dhe Z. Mark Marku, si dhe nga qendra “5 Pyetjet”, të cilat u prezantuan gjatë festivalit.
Sipas kryetares së AMA-s, institucioni ka vendosur që çdo vit të parashikojë fonde të dedikuara për mbështetjen e organizatave joqeveritare që operojnë në fushën e gazetarisë. Vetëm në tre vitet e fundit janë mbështetur 26 projekte që trajtojnë tema kyçe si etika në gazetari, ndikimi i mediave sociale, lufta kundër dezinformimit, siguria e gazetarëve, shmangia e gjuhës së urrejtjes, liria e medias dhe transformimi digjital.
Në përmbyllje, Znj. Krasniqi theksoi misionin thelbësor të profesionit: “Gazetaria nuk matet me shpejtësinë e klikimeve, por me qendrueshmërinë e së vërtetës”,- duke nënvizuar se ndërsa algoritmet përcaktojnë çfarë shohim, gazetaria përcakton çfarë ka vërtet rëndësi për publikun.
















