Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi më 26 janar 2023, në Gjirokastër, tryezën e dymbëdhjetë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.
Tryeza pati karakter gjithëpërfshirës, ndonëse si paraqitja ashtu edhe diskutimet pasuese u përqendruan te “Barazia gjinore dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes” si edhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.
Pjesë e këshillimit u bënë përfaqësues të OSHMA-ve, organizatave të shoqërisë civile, botës akademike, institucioneve arsimore, institucioneve lokale, etj. Diskutimi evidentoi nevojën e ballafaqimit të pritshmërive të grupeve të ndryshme të interesit kundrejt produktit audioviziv si edhe nevojën e njohjes më të thelluar të akteve, që rregullojnë veprimtarinë audiovizive.
Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti shkurt procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare.
Ajo iu referua risive, që Projektkodi ofron, ekuilibrave, që procesi i rishikimit të tij tenton të ruajë dhe rëndësisë, që këshillimi publik ka për standardin e një akti nënligjor, që në përfundim të procesit duhet të plotësojë si detyrimet ashtu edhe pritshmëritë e të gjitha palëve. Në diskutimin vijues midis përfaqësuesve të institucioneve dhe gazetarëve të pranishëm, Oktrova theksoi, se e drejta për informim nuk mund të justifikojë shkeljen e të drejtave të tjera themelore, ashtu sikurse detyrimi për ruajtjen e privatësisë nuk mund të shërbejë si justifikim për t’u shmangur nga llogaridhënia apo detyrimi për transparencë. Sipas saj, kufirin midis të drejtave dhe detyrimeve të palëve në komunikimin publik e përcakton profesionalizmi po aq sa përgjegjësia ndaj interesit publik.
Pjesëmarrësit në diskutim shtruan nevojën e rregullimit të raporteve midis problematikave të aktualitetit lokal dhe atij kombëtar në median audiovizive kombëtare dhe lokale dhe kërkuan shpjegime për hapësirat ligjore dhe nënligjore përkatëse. Ata iu referuan gjithashtu nevojës për dispozita ndaluese lidhur me gjuhën e papërshtatshme dhe banalitetet e formateve argëtuese dhe humoristike, që ndikojnë negativisht fëmijët, lidhur me desinformimin dhe gjuhën e urrejtjes ndaj pakicave dhe komuniteteve të dobëta si edhe nevojës së promovimit të grave të suksesshme, duke evidentuar mungesën e burimeve njerëzore të mirëarsimuara si një aspekt problematik të punës së mediave lokale, me ndikim të ndjeshëm në standardin e përmbushjes së detyrimeve të tyre editoriale dhe ligjore.
Ekspertja e angazhuar nga AMA për hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi në mënyrë të detajuar ndryshimet e propozuara. Referuar metodologjisë së procesit, Hysi shpjegoi se rishikimi i Kodit erdhi si nevojë për të përmirësuar standardet etike të veprimtarisë audiovizive në përgjithësi, po edhe veçanërisht në formatet për fëmijët, me fëmijë, drejtuar fëmijëve apo transmetuar në oraret e ndjekshme prej tyre; por edhe në mbrojtjen e të dhënave personale, në shmangien e diskriminimit gjinor, seksizmit dhe promovimin e barazisë gjinore; në gjithëpërfshirjen e PAK, në mbrojtjen e viktimës dhe prezumimin e pafajsisë së personave në konflikt me ligjin si edhe në shmangien e gjuhës së urrejtjes, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me projektkodin dhe të bëjnë komentet ose propozimet e tyre lidhur me të.
Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.