Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi më 24 janar 2023, në Durrës, tryezën e dhjetë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.
Tryeza gjithëpërfshirëse në qarkun e Durrësit u paraqiti grupeve të interesit qasjen, linjat dhe strukturën e rishikimit të Kodit në tërësi, me fokus te kapitujt “Barazia gjinore dhe mbrojtja e fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, si dhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, shoqërisë civile, administratës dhe institucioneve arsimore lokale, etj. Diskutimi evidentoi interesim të veçantë për kapitujt e fokusuar te detyrimet e OSHMA-ve në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, konkretisht të respektimit të privatësisë, promovimit të diversitetit si edhe mbrojtjes së kategorive vulnerabël apo/dhe veçanërisht të ekspozuara ndaj diskriminimit, si: gratë, fëmijët, PAK, pakicat kombëtare e sociale, personat me orientim seksual ndryshe, etj.
Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti shkurt procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare.
Ajo iu referua ekuilibrave, që procesi i rishikimit ka synuar të ruajë dhe risive, që ai ka prodhuar, rëndësisë së këshillimit publik për bashkërendimin e pritshmërive të të gjitha grupeve të interesit kundrejt Kodit të Transmetimit, si një ankt nënligjor me vlerë bazike për garantimin e rolit rregullator të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit të Ankesave në marrëdhëniet midis OSHMA-ve dhe publikut, në administrimin e ankesave si edhe në edukimin mediatik të të gjitha palëve.
Përfaqësuesit e OSHMA-ve dhe shoqërisë civile u ndalën tek ekuilibrat, që duhet të respektojë gazetaria investigative. Me shembuj konkretë, ata shtruan nevojën e ruajtjes së privatësië së fëmijëve të abuzuar, përfshirë shmangien e publikimit të inicialeve dhe të dhënave rrethanore; nevojën e verifikimit të modeleve të sjelljes dhe veshjes së moderatorëve të emisioneve për fëmijë, për shkak të ndikimit te fëmijët; evidentuan raste konkrete të shkeljes së prezumimit të pafajsisë dhe etiketimit të të dyshuarve arbitrarisht si “fajtorë” apo “autorë”, u ndalën te imazhi, që politika dhe politikanët krijojnë nisur për shkak të gjuhës së urrejtjes, që përdorin; te domosdoshmëria e respektimit të afateve dhe modaliteteve të aplikimit të “përgënjeshtrimit” apo së “drejtës së përgjigjes” nga ana e mediave; te pasojat e rrjedhjes së informacionit në rastet e identifikimit të dëshmitarëve të rëndësishëm, në rastet e birësimeve apo në ngjarjeve të rënda (vrasje apo aksidente).
Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi me detaje ndryshimet e propozuara për seksionet në diskutim. Ajo u ndal ndër të tjera, në rëndësinë e hartimit të një kapitulli të veçantë dispozitash dhe rekomandimesh për barazinë gjinore dhe gjuhën e urrejtjes, në konsensusin e përgjithshëm shoqëror përkitazi shtimit të dispozitave në dobi të interesit më të lartë të fëmijës, në detyrimin për standarde ndërkombëtare në trajtimin e privatësisë dhe të dhënave sensitive si edhe në shpjegimin e së “drejtës së harresës|” dhe detyrimit për respektimin e saj në veprimtarinë audiovizive.
Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me projektkodin dhe të bëjnë komentet ose propozimet e tyre lidhur me të.
Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.