Bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës, nr.13438, datë 20.01.2022 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie për disa njësi të qeverisjes vendore”, si dhe në prag të zhvillimit të fushatës elektorale për votimet e 6 marsit 2022 në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, vlerëson maksimalisht rolin dhe ndikimin e mediave audio dhe audiovizive në informimin dhe edukimin e qytetarëve.
Si dhe në proceset e mëparshme zgjedhore, përmes përmbajtjeve të transmetuara, votuesit kanë më shumë mundësi të njohin dhe të vlerësojnë kandidatët garues, subjektet politike, platformat dhe propozimet e tyre për komunitetin, të ndjekin dinamikën e fushatës në terren, udhëzimet e Komisionet Qendror të Zgjedhjeve etj.
AMA beson se periudha e fushatës elektorale, që nis zyrtarisht më 19 shkurt 2022, do të ketë mbulim të balancuar dhe me standarde profesionale nga redaksitë audio dhe audiovizive, duke ndikuar për një proces transparent dhe sa më të dobishëm për qytetarët.
Nisur nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, AMA gjen rast të kujtojë redaksitë audio dhe audiovizive për kujdesin ndaj nevojës së zbatimit të kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës, në respektimin e kohës për subjektet dhe kandidatët garues, si dhe në hapësirën e reklamave politike në shërbim të fushatës elektorale.
Në fushatën e kaluar zgjedhore ka pasur raste kur OSHMA-të nuk kanë ruajtur propocionet kohore të mbulimit të aktivitetit të subjekteve pjesëmarrëse; nuk kanë kanë respektuar balancën e volumit të reklamave politike, ose vendosën në ekran, në mënyrë të pandërprerë, logo partiake; nuk kanë respektuar afatin e publikimit të sondazheve elektorale, nuk kanë respektuar heshtjen në ditën e zgjedhjeve etj.
AMA, në komunikim të përditshëm me KQZ-në, ka raportuar gjetjet e monitorimit, duke përfshirë dhe shkeljet e identifikuara. Monitorimi dhe komunikimi institucional AMA – KQZ, sipas legjislacionit në fuqi, do të vijojë edhe për fushatën e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022, për të dalluar raste kur anashkalohen apo shkelen kërkesat e Kodit Zgjedhor të Republikës.
Nisur nga përvoja pozitive dhe kontributi konkret i redaksive audio dhe audiovizive në mbulimin e proceseve zgjedhore të mëparshme, pritmëria e AMA-s është për një angazhim të përgjegjshëm dhe profesional nga ana juaj si OSHMA.
Autoriteti i Mediave Audiovizive