Sot zhvilloi punimet në Tiranë, Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Fëmijët dhe edukimi mediatik: përballë sfidave të reja. Kjo konferencë u organizua nga Instituti Shqiptar i Medias me mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, në kuadër të aktiviteteve të organizuara për 20 vjetorin e themelimit të Autoritetit.
Në nisje të kësaj konference, Kryetari i AMA-s, z.Gentian Sala, vlerësoi punimet e kësaj konference të cilat janë një vlerë e shtuar dhe një moment i mirë reflektimi për aktorët e përfshirë, median, shoqërinë dhe komunitetin mbi rolin e tyre.
Z. Sala theksoi rëndësinë që përbën mbrojtja e fëmijëve dhe trajtimi i tyre në media për Autoritetin, i cili e ka renditur si një ndër prioritetet kryesore të punës së tij.
Kryetari i AMA-s u ndal tek roli i Operatorit Publik, i cili duhet të shërbejë si model që bën diferencën por dhe referencën në media përsa i përket trajtimit të temave për fëmijë.
AMA, vijoi ai, “aleat të parë për çështje etike, për larminë dhe cilësinë e programeve për fëmijë duhet të kishte operatorin publik. RTSH ka fonde, nuk ka kërcënimin e të ardhurave nga reklamat për shkak të financimit nga qytetarët. Disponon kohë televizive, ka 12 kanale në të cilat mund të trajtojë tema të larmishme dhe të ndryshme për fëmijët, ka ligjet dhe potencialin për të marrë programe dhe disiplina të ndryshme nga homologët europianë”.
Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, znj. Besa Shahini foli për rëndësinë që ka sot media në formimin e të rinjve dhe opinionit publik. Ministrja referoi shifra lidhur me besueshmërinë në media, ku siç tha ajo, “më shumë se 50 % e popullsisë beson dhe e merr për të vërtetë secilin lajm që dëgjon”. Znj. Shahini vuri në vëmendje se duhet të jemi vigjilent për të mos e marrë si të vërtetë çdo gjë që na thuhet nga media. Është e rëndësishme, nënvizoi ministrja, që të gjenden instrumentat për të edukuar jo vetëm fëmijët por të gjitha moshat mbi funksionimin dhe përmbajtjet mediatike. Znj. Shahini u shpreh e hapur mbi pranimin e mendimit të ekspertëve në lidhje me implementimin e teksteve të Edukimit Mediatik në shkollat shqiptare.
Drejtori i Institutit Shqiptar të Medias z. Remzi Lani në fjalën e tij vuri theksin në seriozitetin me të cilën duhet ta marrim Media Literacy. Ka ardhur koha, tha ai, që të përfshihet në kurrikulën shkollore lënda e Edukimit Mediatik, nga nivelet më të ulëta në ato më të larta. Në këtë mënyrë nuk do të jemi konsumatorë të verbër të asaj që na serviret por do të jemi të pajisur me filtra dhe me mendim kritik.
Përfaqësues i UNICEF në Shqipëri z. Roberto de Bernardi, tha se çështja e fëmijëve në audiovizual duhet të zgjidhet sa më shpejt. Megjithatë, ai pranoi se koncepti “media literacy” ka ndryshuar me kalimin e kohës, kjo për ndikimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë në median tradicionale. 3/4 e fëmijëve shqiptarë, tha z. de Bernardi zotërojnë një aparat celular, smart, përmes të cilëve informohen.
Konferenca vijoi me diskutimin në tre panele, mbi tema specifike në lidhje me të drejtat e fëmijës në median audiovizive.
Të drejtat e fëmijëve dhe edukimi mediatik, standardet dhe praktikat ndërkombëtare, u sollën në vëmendje të pjesëmarrësve standardet dhe praktikat europiane mbi të drejtat e fëmijëve dhe edukimin mediatik. Ekspertët ndërkombëtare, drejtorë mediash dhe lektorë diskutuan mbi këtë problematikë si një sfidë reale e ditëve të sotme.
Raportimi i fëmijëve në median shqiptare: një perspektivë gazetareske, ishte diskutimi i panelit të dytë. Me këtë rast u paraqiten gjetjet e para të një monitorimi të mbulimit të fëmijëve nga media elektronike. Paneli me përfaqësues të AMA-s, ekspertë të medias, por dhe agjencinë shtetërore për të drejtat e fëmijëve, diskutoi mbi situatën dhe instrumentët e duhur për të ndërhyrë në përmirësimin e raportimit dhe trajtimit të këtyre rasteve.
Paneli i tretë u ndal tek edukimi mediatik dhe fëmijët një perspektivë e shoqërisë civile, diskutoi mbi të dhëna dhe raste konkrete të raportimeve në media dhe pasojat që ka sjellë raportimi në media në jetën e këtyre fëmijëve dhe familjeve.
Në këtë aktivitet ishin të përfshirë të gjithë institucionet dhe aktorët e dorës së parë që merren dhe trajtojnë problematika lidhur me mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, 15.05.2019