31 Mars 2018, afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në qarkun e Fierit
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe në ndjekje të procesit të dixhitalizimit të transmetimeve televizive, pas qarkut të Beratit dhe Korçës, njofton se qarku i ardhshëm do të jetë ai i Fierit. Afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në këtë qark do të jetë data 31 Mars 2018.
Për sa më sipër, AMA tërheq vëmendjen e të gjithë subjekteve audiovizivë që ushtrojnë veprimtari televizive analoge në qarkun e Fierit, në marrjen e masave për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së, ose në njërin prej rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA.
Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset me marrës digjital (dekoderë universalë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 31 Mars 2018, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive në këtë qark.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, më 23.01.2018