E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Qarku Elbasan – Tryeza e njëmbëdhjetë e këshillimit publik në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi më 25 janar 2023, në Elbasan, tryezën e njëmbëdhjetë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.

Tryeza gjithëpërfshirëse në qarkun e Elbasanit u paraqiti grupeve të interesit qasjen, linjat dhe strukturën e rishikimit të Kodit në tërësi, me fokus te kapitujt “Barazia gjinore dhe mbrojtja e fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, si dhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, shoqërisë civile, administratës dhe institucioneve arsimore lokale, gazetarë, etj. Diskutimi evidentoi interesim të veçantë për seksionet e Projektkodit, me fokus te detyrimet e medias audiovizive kundrejt të drejtave themelore të njeriut, konkretisht përkitazi respektimit të privatësisë, diversitetit, të drejtave të kategorive vulnerabël, të ekspozuara veçanërisht ndaj diskriminimit, si: gratë, fëmijët, PAK, pakicat kombëtare e sociale, personat me orientim seksual ndryshe, etj.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti përmbledhtazi procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare. Oktrova iu referua ekuilibrave, që procesi i rishikimit ka synuar të ruajë dhe risive, që ai ka prodhuar, rëndësisë së këshillimit publik si për standardin e dokumentit në diskutim ashtu edhe për kalibrimin e interesave, të drejtave dhe detyrimeve të palëve në kuadrin e komunikimit publik nga këndvështrimi i interesit publik. Në kuadrin e dikutimit vijues, Kryetarja e KA-së, tërhoqi vëmendjen lidhur me detyrimet ligjore të OSHMA-ve në kuadrin e funksionimit të bordeve të ankesave dhe miratimit të kodeve përkatëse të sjelljes.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile e vunë theksin te nevoja e shtimit të dispozitave detyruese në interes të pakicave kombëtare, te nevoja e rishikimit të përkufizimit të konceptit “shqetësim” në Kodin e Transmetimit, duke e lidhur atë jo vetëm me diskriminimin por edhe me qëndrime problematike ndaj pakicave; te stereotipet gjinore, që burrat i identifikojnë vetëm si dhunues dhe më pak si familjarë; te pasojat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes në përmbajtjet audiovizive; te nevoja e shtimit të sanksioneve financiare ndaj shkeljeve të OSHMA-ve, si instrument i domosdoshëm për të imponuar ligjin; te forcimi i detyrimeve ndaluese të Kodit të Transmetimit kundrejt çdo përmbajtjeje audiovizive (jo vetem ndaj pornografisë) që dëmton shëndetin mendor të fëmijës si edhe te nevoja e formulimeve ndaluese për shpërdorimin e figurës femërore si objekt estetik/seksual në formatet satiriko-investigative.

Gazetarët e pranishëm u përqendruan me prioritet te detyrimet e lidhura me interesin më të lartë të fëmijës. Ata u interesuan, për standardin e raportimit lidhur me fëmijët në situata ekstreme nga këndvështrimi i interesit më të lartë të fëmijës; formuluan shqetësimin e tyre për mungesën e standardit të njësuar në raportimin e abuzimit të të miturve dhe konkurrencës së ngritur mbi shkeljen e standardit dhe jo mbi respektimin e tij; evidentuan përplasjet, që qasjet e diferencuara „pro“ dhe „kundër“ standardit shkaktojnë midis profesionistëve dhe administratorëve dhe theksuan nevojën e trajnimeve jo vetëm për gazetarët, por veçanërisht për administratorët, të cilët i identifikuan si targeti problematik, që shtyn profesionistët drejt sensacionit, shikueshmërisë dhe klikimeve.

Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin e Kodit ekzistues dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, paraqiti me detaje ndryshimet e propozuara për seksionet në diskutim. Referuar procesit, Hysi vuri në dukje, se përcaktimi i linjave të rishikimit të Kodit të Transmetimit është orientuar nga: natyra e formateve, lloji dhe përmasat e audiencës, që i ndjek si edhe nga dëmi, që përmbajtje të caktuara audiovizive shkaktojnë. Ajo theksoi gjithashtu, se në projektkodin e ri janë rishikuar standardet, parimet, baza ligjore dhe përkufizimet, me synim ofrimin e një informacioni të integruar nga të gjitha ligjet, që afektojnë veprimtarinë audiovizive, në plotësim të nevojës së ardhur nga evoluimi i legjislacionit, standardet europiane dhe kërkesat e publikut. Duke paraqitur seksionet e reja dhe të rishikuara në Kodin e Transmetimit, Hysi theksoi, se me përfundimin e procesit të rishikimit dhe miratimin e Kodit të Ri të Transmetimit, OSHMA-ve u lind detyrimi për përditësimin e kodeve të sjelljes si bazë për veprimtarinë e bordeve përkatëse të shqyrtimit të ankesave.

Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me projektkodin dhe të bëjnë komentet ose propozimet e tyre lidhur me të.

Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.

Perpara Ushtrimi i dhunës fizike ndaj një reporteri në detyrë është i papranueshëm

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara