AMA miraton tarifën mujore për mbështetjen e operatorëve në platformën e RTSH-së

AMA miraton tarifën mujore për mbështetjen e operatorëve në platformën e RTSH-së

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në mbledhjen e bordit të datës 29 Mars 2016, miratoi tarifën mujore për mbështetjen e operatorëve privat vendorë në rrjetin numerik të ndërtuar nga RTSh. Metodologjia e llogaritjes së këtyre pagesave ka qenë në fokus të takimeve të drejtëpërdrejta mes AMA-s dhe RTSh-së, si dhe në mbledhjet e Sekretariatit Teknik për digjitalizimin, ku Autoriteti ka afruar ndihmë, propozime dhe sugjerime konkrete.

Strategjia e kalimit nga transmetimet analoge në transmetimet numerike ka parashikuar që tarifa e mbështetjes së operatorëve analogë vendorë në rrjetin numerik të RTSh, të përcaktohet duke u bazuar në kostot e ndërtimit të rrjetit. Sipas llogaritjes së zërave përkatës, tarifa për mbështetjen në rrjetin e RTSh-së rezultoi në vlerën prej 2,880 (dymijë e tetëqind e tetëdhjetë) Euro/Muaj për allotment.

Në qershor të vitit 2015, AMA organizoi një takim konsultativ me operatorët televizivë lokalë dhe rajonalë me fokus kryesor problematikat e mbështetjes së operatorëve në rrjetin e RTSH-së, si dhe përllogaritjen e tarifave përkatëse gjatë procesit të digjitalizimit, ku u theksua rëndësia për të pasur një proces transparent dhe të bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në Strategjinë Kombëtare të kalimit të transmetimeve nga analogu në numerik, duke sjellë një produkt cilësor për publikun dhe me kosto sa më të ulët.

Mbas një sërë takimesh dypalëshe midis AMA-s dhe RTSh-së u ra dakord edhe rishikimi i metodologjisë së përllogaritjes së tarifës së mbështetjes. Në këtë mënyrë u përcaktua që metodologjia e përllogaritjes së tarifës të konsideronte vetëm zërat financiare që lidhen me mirëmbajtjen e rrjetin numerik dhe jo të ndërtimit të tij. Ky propozim gjeti dhe miratimin e Komitetit Ndërinstitucional për zbatimin e Strategjisë së kalimit në transmetimet numerike.

Në muajin Janar 2016, Bordi i RTSH miratoi tarifën e mbështetjes së operatorëve analogë në rrjetin numerik, tarifë kjo që rezultoi në vlerën prej 1,073 (një mijë e shtatëdhjetëetre) Euro/Muaj për Allotment. Përllogaritja e tarifës është kryer duke marrë në konsideratë vetëm zërat financiare të mirëmbajtjes së njërit prej dy rrjeteve numerike, i cili do të shërbejë për mbështetjen e transmetimeve të operatorëve analogë vendorë.

Në vijim, nga AMA, më datë 09.02.2016, u kërkua depozitimi i dokumentacionit të nevojshëm justifikues, për zërat financiarë të vlerësuar prej tyre në hartimin e kësaj tarife, përpara miratimit të saj, sipas tre pikave si më poshtë:

  1. Kontrolli i rregullshmërisë financiare – Tërësia e dokumentacionit që vërteton ruajtjen e burimeve dhe të pasurive si dhe siguron saktësinë dhe plotësinë e regjistrave kontabël.
  2. Kontrolli i rregullshmërisë së përputhshmërisë – Referenca e kuadrit rregullator mbi të cilën vërtetohet zbatimi i ligjeve.
  3. Kontrolli i drejtimit dhe performancës – Vlerësimi i vendimmarrjes së menaxhimit të burimeve sipas ekonomizimit, efiçencës dhe efektivitetit, si dhe zbatimi i politikave referuese të administrimit mbi nxjerrjen e një informacioni të besueshëm ekonomiko-financiar.

RTSh më datë 17.03.2016, depozitoi në AMA dokumentacionin mbështetës për masat e shpenzimeve të vlerësuara prej tyre në hartimin e tarifës.

Për rrjedhojë, për gjithë sa më sipër:

  • meqenëse informacioni financiar i paraqitur nga RTSh lidhur me zërat e vlerësuar në përcaktimin e tarifës për mbështetjen e operatorëve vendorë lokalë në një allotment, është parashikim i mbështetur në kostot e rrjetit ekzistues analog;
  • duke pasur parasysh që RTSh ende nuk e ka nënshkruar kontratën për SLA-n (zëri i kostove për mirëmbajtjen e rrjeteve nga kompania ndërtuese);
  • meqenëse kriter më i përafërt i parashikimit të mbarëvajtjes së biznesit, mbështetur në shikueshmërinë e reklamave televizive është numri i popullsisë për çdo allotment;

Autoriteti i Mediave Audiovizive, bazuar në nenin 122, pika 3, të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”,

VENDOSI:

  1. Miratimin e tarifës mujore për mbështetjen e operatorëve vendorë lokale për një allotment në rrjetin e RTSh-së, në vlerën 1,073 euro/muaj pa përfshirë TVSH.
  2. Tarifa mujore për mbështetjen në një allotment, do zbatohet për jo më shumë se 1 (një) vit, afat ky që fillon nga hyrja në fuqi e këtij vendimi me të drejtë rishikimi pas përfundimit te ketij afati.
  3. AMA do të shprehet me vendim për miratimin e tarifës për vitet pasardhëse, duke u bazuar në vlerësimin e zërave financiarë që do të pasqyrohen në situatën reale të operimit të rrjetit numerik tokësor gjatë vitit të parë, specifikisht zëri i shërbimit të SLA-s, për mirëmbajtjen e rrjeteve.
  4. Ndarja e diferencuar e tarifës mujore do të aplikohet sipas tabelës të mëposhtme:
   Nr. Allotmenti Tarifa e diferencuar
(në euro/muaj)
1 Shkodër 1113
2 Kukës 365
3 Dibër 598
4 Lezhë 725
5 Tiranë/Durrës 2146
6 Elbasan 1473
7 Fier 1665
8 Berat 775
9 Korçë 1164
10 Gjirokastër 512
11 Vlorë 1268
Totali: 11,803

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 29 Mars 2016

Perpara AMA dhe KPM organizojnë takim konsultativ për aktet nënligjore rregullatore për ofrimin e shërbimeve mediatike në rrjete kabllorë dhe internet

Leave Your Comment