E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Zhvillohet takimi i radhës me operatorët lokalë/rajonalë për procesin e digjitalizimit dhe kompensimin financiar në kuadër të kalimit në transmetimet numerike

Autoriteti i Mediave Audiovizive, (AMA), organizoi sot më datë 11 qershor 2019, tryezën e diskutimit mbi procesin e digjitalizimit dhe procedurën e kompensimit financiar në kuadër të kalimit në transmetimet numerike.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues nga operatorët lokalë/rajonalë, përfaqësues nga Shoqata e Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë Valorë, (RRTL), si dhe përfaqësues të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi masën, mënyrën e kompensimit si dhe procedura e administrimit dhe kryerjes së pagesave për kompensimin financiar të subjekteve ekzistues lokalë/rajonale, në zbatim të ligjit nr. 34/2017 “Për Lirimin e Frekuencave të Dixhital Dividentit”, të ndryshuar.

Zëvendëskryetari i AMA-s, z. Sami Nezaj, në fjalën e tij hyrëse falënderoi për pjesëmarrjen operatorët dhe theksoi se AMA është e angazhuar t’i mbështesë operatorët lokalë/rajonalë në  shqetësimet e tyre në lidhje me zbatueshmërinë e ligjit nr. 34/2017 “Për Lirimin e Frekuencave të Dixhital Dividentit”, i ndryshuar, duke i dhënë kështu hapësire në këtë tryezë për të paraqitur problematikat jo vetëm për procesin e kompensimit por edhe më gjerë, procesin e mbylljes së transmetimeve analoge në tërësi.

Z. Dritan Xhelili, Drejtor Kabineti në AMA, theksoi rëndësinë e procesit të kompensimit të pjesshëm të operatorëve, për tarifën e mbështetjes së tyre në rrjet numerik, duke evidentuar impaktin e tij të drejtpërdrejtë në mbështetjen e operatorëve privatë lokalë/rajonalë, të cilët duke qenë më pranë komuniteteve lokalë, përfaqësojnë vlera të pluralizmit të mendimeve.

Po ashtu në takim, u trajtua problematika lidhur me rishikimin e tarifës së mbështetjes në rrjetin numerik të operatorit publik, i cili bazohet në shpenzimet faktike të kryera për funksionimin e rrjetit të RTSH-së.

Pjesëmarrësit në takim pretenduan se ligji 34/2017, nuk trajton dëmin financiar, që u është shkaktuar operatorëve lokalë/rajonalë, investimet e të cilëve ndër vite nuk janë marrë në konsideratë gjatë hartimit të këtij ligji, duke kundërshtuar gjithashtu edhe masën totale të kompensimit për këtë kategori.

Diskutimi vijoi me debate mbi zbatimin e ligjit nr. 34/2017 “Për Lirimin e Frekuencave të Dixhital Dividentit”, të ndryshuar.

AMA do të vijojë të punojë ngushtësisht me të gjithë Ofruesit e Shërbimit Mediatik me qëllim që procesi i kalimit në transmetimet numerike të realizohet me sukses në të gjithë territorin e vendit.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive

11 Qershor 2019

Perpara Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Agjencia për Shërbimet e Komunikimeve Elektronike dhe Postare e Malit të Zi nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara