SCiDEV dhe Faktoje.al, organizuan tryezën me temë “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias në Shqipëri: Midis përparimit dhe ngecjes – Reflektime mbi Raportin e BE-së 2025 dhe rruga drejt llogaridhënies”, ku u diskutuan sfidat dhe arritjet e vendit në këtë fushë, si dhe prioritetet për vitin 2026.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi, deputetja e PD, Jorida Tabaku, deputeti i Partisë “Mundësia” Erald Kapri, Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos si dhe përfaqësues të botës akademike, përfaqësues të mediave dhe organizatave mediatike.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi,theksoi se Liria e Shprehjes dhe e Drejta për Informim janë dy shtylla kryesore të punës së institucionit që ajo drejton.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për vitin 2025, por për të gjithë agjendën tonë afatgjatë, ku kemi punuar për ruajtjen e paprekur të këtyre të drejtave, Ndër më kryesoret përmend; realizimin e Transparencës së Strukturës Pronësore dhe Pronarit Përfitues, direkt dhe indirekt, të medias audio dhe audiovizive, të dhëna lehtësisht të aksesueshme në faqen zyrtare online të AMA-s, funksionimin si ent plotësisht i pavarur dhe këtë e dëshmojnë vendimet e arritura me konsensus dhe asnjëherë të kontestuara; nxitjen e procesit të Matjes së Shikueshmërisë si dhe përshtatjet ligjore me aktet e rëndësishme të BE-së që synojnë rregullimin e mëtejshëm të tregut audio/audioviziv”- theksoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s nënvizoi gjithashtu se institucioni do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim për të çuar përpara proceset e nisura, si dhe për çdo kontribut që shërben misionit të tij në ruajtjen dhe promovimin e lirisë së medias dhe të shprehjes në vend.
Të pranishmit ndan mendime dhe shkëmbyen ide mbi pikat kyçe të Raportit të Bashkimit Evropian 2025, duke u fokusuar mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim si të drejta themelore të qytetarëve.


















