Autoriteti i Mediave Audiovizive, në bashkëpunim me qytetarët dhe platformën TikTok, vijon punën për identifikimin dhe heqjen e përmbajtjeve të dëmshme nga platforma. Sipas të dhënave më të fundit, nga 4 shkurti deri më 22 qershor janë hequr nga TikTok 62 përmbajtje të dëmshme dhe 1444 foto/video të raportuara për pirateri.
Nga 222 ankesa të administruara nga AMA, 88 raste janë identifikuar në shkelje të ligjit. Prej tyre, 62 video/audio janë hequr nga platforma, ndërsa 26 raste vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Nga 62 përmbajtjet e hequra, 20 video lidhen me ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës. Gjithashtu, 28 video janë hequr për nxitje të dhunës dhe urrejtjes, 8 video për akte dhune, 3 video për urrejtje fetare, 2 video për pamje të veprave penale dhe 1 audio për përdorimin e gjuhës që tejkalon standardet morale dhe etike.
Sa i përket piraterisë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 1444 raste të raportuara, të cilat përfshijnë 708 foto dhe 736 video. Si rezultat i ndërhyrjeve, të gjitha përmbajtjet e raportuara janë hequr nga platforma, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë rast në proces shqyrtimi.
AMA thekson se çdo ankesë dhe raportim i ardhur është shqyrtuar me përgjegjësi të plotë dhe në zbatim të dispozitave ligjore, në funksion të mbrojtjes së publikut dhe garantimit të një mjedisi më të sigurt në platformat digjitale.

