Kryetarja e Autoritetit
të Mediave Audiovizive mori pjesë sot në tryezën e radhës së Platformës së
Dialogut për Median, një projekti i financuar nga Bashkimi Europian dhe
Këshilli i Europës, i zbatuar nga ky i fundit në bashkëpunim me Fakultetin e
Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.
Takimi drejtohej nga
Prof..Dr Mark Marku dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë me
pjesëmarrjen e Shefes së Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Znj. Giulia
Re, Prof.Asoc. Dr. Iris Luarasi, nënkryetare e komisionit “Për të drejtat e
njeriut dhe mjetet e informimit publik”, përfaqësues të shoqërisë civile,
gazetarë, akademikë etj.
Në këtë takim u diskutua
mbi rekomandimet e dokumentit të prezantuar nga ekspertja, Znj. Tanja Kersevan,
“Përshtatja e Peizazhit Mediatik të Shqipërisë me Standardet Europiane:
Reformat Ligjore dhe Institucionale mbi Përqendrimin, Transparencën,
Rregullimin e Medias dhe Median e Shërbimit Publik”.
Krasniqi u shpjegoi
pjesëmarrësve se Autoriteti i Mediave Audiovizive ka kryer tashmë shumicën e
detyrimeve të paraqitura në këtë dokument.
“Kemi gati draftin e ri
të ndryshimeve ligjore në përputhje të plotë me parimet e Aktit Europian për
Lirinë e Medias, EMFA. Qasja e re nuk fokusohet vetëm në dimensionin ekonomik,
por vendos në qendër mbrojtjen e pluralizmit, diversitetin e përmbajtjes dhe
pavarësinë editoriale”- tha Krasniqi duke shtuar se: AMA ka krijuar dhe
publikuar në faqen zyrtare një databazë transparente dhe të aksesueshme, që
përfshin:
* pronarët direktë dhe
indirektë të medias audio dhe audiovizive;
* përfituesit fundorë;
* subjektet e licencuara
dhe të autorizuara në fushën audiovizive.
Për sa i përket Matjes së
Shikueshmërisë, Krasniqi tha se ka hyrë në rrugën e realizimit dhe se
aktualisht Komiteti i Përbashkët i Industrisë për Matjen e Shikueshmërisë (KPI)
ekziston si:
* entitet juridik i
regjistruar;
* i njohur nga Gjykata e
Rrethit Gjyqësor Tiranë;
* i regjistruar në
administratën tatimore;
* me kapacitet të plotë
veprues.
Kjo dëshmon kalimin nga
një fazë konceptuale në një strukturë funksionale dhe të qëndrueshme
vetërregulluese, në linjë me standardet europiane.
“Sa i takon pavarësisë
dhe financimit të rregullatorit, ky nuk është vetëm koncept normativ, por i
garantuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes modelit të financimit. AMA
funksionon si institucion vetfinancues dhe si institucion vendimmarrës
plotësisht i pavarur. Shumica e vendimeve me unanimitet të plotë të Bordit të
AMA-s dhe asnjë ankesë të shënuar në më shumë se 4 vjet, nga asnjë palë
interesi, e dëshmon më së miri këtë”- tha kryetarja e AMA-s.
Në përfundim të diskutimit Krasniqi shtoi se:
Reformat e propozuara nuk janë thjesht përmbushje formale e acquis-it, por
përfaqësojnë një transformim strukturor të ekosistemit mediatik shqiptar. AMA
funksionon si një rregullator modern, proaktiv dhe europian, që garanton
pluralizëm, transparencë dhe pavarësi në funksion të interesit publik dhe
procesit të integrimit në BE.





















