Sfidat me të cilat përballen gratë në politikë, gjuha e urrejtjes, dhuna dhe pengesat që ndikojnë në përfaqësimin e tyre, ishin tema e aktivitetit të zhvilluar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC).
Me pjesëmarrjen e kryetares së AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, kreut të KQZ, Z.Celibashi, përfaqësues të Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, shoqërisë civile, deputetë dhe organizatave ndërkombëtare, u diskutuan fenomenet e ndeshura të dhunës me bazë gjinore dhe gjuhës së urrejtjes në politikë si dhe angazhimin e institucioneve mbikëqyrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi, pasi bëri një paraqitje të punës së institucionit që ajo drejton, në lidhje me monitorimin e fushatave zgjedhore, punë e cila siguron që fushatat zgjedhore në mediat audiovizive të jenë të drejta dhe e paanshme, paraqiti shifra konkrete të raportit statistikor të përfaqësimit gjinor në media.
Kështu nga monitorimi i vitit 2021, kur për herë të parë nisi të aplikohej ky lloj vrojtimi, rezultonte, se raporti statistikor i përfaqësimit gjinor në mediat audiovizive ishte dukshëm në favor të politikanëve burra. Konkretisht ata zinin 81.52% të kohës televizive të monitoruar, ndërsa politikanet femra, vetëm 18.8% të saj.
Në fushatën zgjedhore, që i parapriu zgjedhjeve lokale të vitit 2023, panorama ishte shumë më pesimiste ku rezultoi se, niveli i përfaqësimit të meshkujve ishte në masën 92.4%, ndërsa i femrave në vetëm 7.6%.
“Shifrat e sipërpërmendura tregojnë se politikës i duhet ende të reflektojë dhe të punojë për tu rregulluar në këtë drejtim. Ato ndikojnë edhe në perceptimin e përgjithshëm shoqëror që anon drejt dominancës së pranisë mashkullore në politikë, si në përgjithësi ashtu edhe gjatë fushatave zgjedhore” – u shpreh Znj.Krasniqi.
Vlen të theksohet se Autoriteti i Mediave Audiovizive, me pasurimin që i ka bërë Kodit të Transmetimit, reflekton një seksion të posaçëm, kushtuar luftës kundër diskriminimit gjinor dhe promovimit të barazisë gjinore.
Po kështu një vëmendje e veçantë në këtë drejtim i kushtohet edhe ankesave që vijnë me këtë sfond, duke ngritur dy shtylla të rëndësishme mbi të cilat mbështeten proceset e punës në AMA.
“Çështja për të cilën flasim sot kërkon bashkëpunim ndërinstitucional dhe koordinim shumëplanësh për të arritur në rezultate të vërteta. Unë ju ftoj që të dhënat, ankesat apo denoncimet për dhunën ndaj grave në politikë që do të vijnë në website-n që u prezantua sot, ti ndani edhe me institucionin tonë. Do t’i shqyrtojmë për të siguruar një angazhim të koordinuar, reagim të shpejtë me qëllimin e përbashkët, atë të krijimit të një hapësirë ku gratë mund të kontribuojnë pa pasur frikë nga dhuna dhe diskriminimi”- u shpreh Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi
Në këtë takim u prezantua dhe website: https://stopvawp.al/, ku çdokush mund të denoncojë fakte të dhunës ndaj grave në politikë apo gjuhën e urrejtjes përdorur ndaj tyre.
Në fund të takimit kryetarja e AMA-s Znj. Krasniqi u shpreh: Të gjithë ne, kemi përgjegjësinë të ndërtojmë një shoqëri, ku gratë janë të mbrojtura dhe të respektuara në çdo fushë të jetës, përfshirë politikën.