Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi mori pjesë në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare për Sigurinë e Gazetarëve, organizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit për Sigurinë e Gazetarëve dhe Profesionistëve të Medias (ICSJ), me temë “Të dëshmosh: Trauma dhe qëndrueshmëria në gazetarinë moderne”, zhvilluar në Selanik.
Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, autoriteteve rregullatore, akademikë dhe profesionistë të medias, kjo konferencë ndërtoi një hapësirë të rëndësishme dialogu mbi sfidat që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e gazetarëve në një mjedis mediatik gjithnjë e më kompleks.
Kryetarja Krasniqi ishte e ftuar të diskutojë në panelin me temë “Institucionalizimi i qëndrueshmërisë: qasje strategjike dhe politike ndaj traumave në gazetari”, në të cilin merrnin pjesë gjithashtu përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve publike, si Adrien Collin nga Federata Europiane e Gazetarëve, Cecilia Lagomarsino e OSBE, Radica Zekovic nga Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi dhe Nikos Panagiotou nga Universiteti Aristotel i Selanikut.
Në konferencë u diskutuan gjithashtu dhe temat e ndikimit të përmbajtjeve digjitale dhe ekspozimi ndaj materialeve sensitive, siguria në terrene me rrezik të lartë, si dhe ndërtimi i redaksive të qëndrueshme dhe të përgatitura për të përballuar sfidat psikologjike të profesionit.
Konferenca shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e gazetarëve dhe promovimin e një gazetarie të sigurt dhe të përgjegjshme.












