Analiza e ndikimit ekonomik të DAB+, mundësitë e zbatimit në Shqipëri dhe njohja me të rejat e fundit nga kjo fushë kanë qenë disa nga temat kryesore të Samitit të Transmetimit Digjital ABU 2024, ku merrte pjesë edhe një ekip teknik nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, i drejtuar nga Kryetarja, Armela Krasniqi.
I mbajtur në Kuala Lumpur të Malajzisë, ky samit global, ka nxitur interesin për studimin më të thelluar të fushës nga AMA. Gjatë punimeve dy ditore u diskutua dhe u hodh dritë mbi rritjen globale të WorldDAB dhe përmirësimeve të standardeve DAB+ që reflektojnë angazhimin e vazhdueshëm për përparime teknologjike, ku përfshihen dhe veçori të reja të paralajmërimit të emergjencave civile. Paralajmërimi përmes radios digjitale i zonave të prekura nga fatkeqësi natyrore apo fenomene të ngjashme ishte në qendër të takimeve dypalëshe që zhvilloi delegacioni i AMA-s.
Të gjendur përballë kërkesave në rritje të industrisë për ushtrimin e kësaj teknologjie edhe në Shqipëri, përditësimi me të rejat e fundit dhe marrja e praktikave më të mira globale është një domosdoshmëri për zbatimin e duhur të saj.
WorldDAB është pranuar gjerësisht si standardi i radios numerike, i miratuar nga transmetuesit në të gjithë Europën, Azinë, Paqësorin dhe më gjerë. Në një stad akoma më të lartë evoluimi, DAB+ është shndërruar aktualisht, në shumë vende të botës, në formatin kryesor të transmetimit digjital në radio
Transmetimet DAB+ parashikojnë të sjellin përfitime të konsiderueshme në cilësinë e transmetimit, kostot e ulëta, shumëllojshërinë dhe sigurinë e shërbimit audio.