E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Respektimi i standardeve dhe kërkesave të Kodit Zgjedhor nga redaksitë e OSHMA-ve

Nesër (14.04.2023), fillon zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, që do të thotë dhe nisje e një angazhimi profesional për redaksitë e OSHMA-ve, që do të pasqyrojnë në programacionin e tyre aspekte të dinamikës së garës mes konkurrentëve të përfshirë, në favor të informimit dhe edukimit të publikut.  

Duke qenë se media audio/audiovizive ka pasur dhe ka rol e ndikim të rëndësishëm për qytetarët me të drejtë vote, në njohjen e alternativave që do të ofrohen nga subjektet politike dhe kandidatët e regjistruar nga KQZ, pritmëria e AMA-s është maksimale se performanca e OSHMA-ve do të jetë në respekt të kërkesave dhe standardeve që parashikon Kodi Zgjedhor i Republikës.  

AMA beson se ky muaj i fushatës elektorale do të mbulohet në mënyrë profesionale dhe të balancuar nga redaksitë e OSHMA-ve, si një shërbim i dobishëm për qytetarët, për transparencën dhe për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për zgjedhje me standarde demokratike. 

Duke pasur përvojë nga monitorimi në proceset zgjedhore të kaluara, AMA gjen rast t’ju kujtojë nevojën e zbatimit të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në respektimin e kohës që do t’u lihet në përmbajtjet e transmetuara subjekteve dhe kandidatëve garues, gjatë edicioneve të lajmeve, në lidhjet e drejtpërdrejta apo në emisionet forum; në hapësirën e reklamave politike në shërbim të fushatës elektorale etj.  

Në zgjedhjet e kaluara AMA ka raportuar pranë KQZ-së raste kur OSHMA-të nuk kanë ruajtur proporcionet kohore të mbulimit të aktivitetit të subjekteve pjesëmarrëse; nuk kanë respektuar balancën e volumit të reklamave politike, (ose kur ato vendosën në ekran, në mënyrë të pandërprerë, logo partiake); nuk kanë respektuar afatin e publikimit të sondazheve elektorale, nuk kanë respektuar heshtjen në ditën e zgjedhjeve etj. 

Para disa ditëve AMA ju ka dërguar një shkresë zyrtare ku ka kujtuar detyrimet që rrjedhin nga neni 85 i Kodit Zgjedhor, që parashikon, dhe se: “Radiot dhe televizionet publike dhe private janë të detyruara të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre përgjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Këto regjistrime ruhen deri në mbarimin e dhjetë muajve nga data e zgjedhjeve dhe vihen, me kërkesë të KQZ-së, menjëherë në dispozicion të saj.” 

AMA do të vijojë monitorimin gjatë gjithë fushatës, dhe gjetjet do t’i përcjellë periodikisht në KQZ, institucion që i publikon treguesit e mënyrës së mbulimit virtualisht, në faqen e vet të internetit për transparencë ndaj publikut. 

AMA kërkon nga redaksitë e OSHMA-ve respektimin e kërkesave dhe standardeve që parashikon Kodi Zgjedhor në procesin e mbulimit të fushatës elektorale që nis nesër, për të shmangur masat administrative nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  

Autoriteti i Mediave Audiovizive 

Perpara Vijon bashkëpunimi mes AMA dhe KPM
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara