Bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 244, datë 05.07.2024, më datë 04.08.2024 do të zhvillohen votimet e pjesshme për kryetar të Bashkisë së Himarës, qarku Vlorë. Referuar vendimit nr.3, datë 17.07.2024, të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, fushata elektorale do të fillojë më datë 27.07.2024 dhe do të vijojë deri më datë 02.08.2024. Data 03.08.2024 do të jetë heshtje zgjedhore dhe të nesërmen, datë 04.08.2024, qytetarët me të drejtë vote në Himarë do të përfshihen në procesin zgjedhor.
Zhvillimi i fushatës elektorale nga subjektet politike të regjistruara në KQZ, pritet që te jetë temë që do të trajtohet dhe nga OSHMA-të. Ashtu si dhe në fushatat e mëhershme redaksitë audiovizive do të angazhohen profesionalisht për të pasqyruar në programacionin e tyre aspekte të dinamikës së garës mes konkurrentëve të përfshirë, në favor të informimit dhe edukimit të publikut.
Duke u nisur nga fakti se media audiovizive ka pasur dhe ka rol e ndikim të rëndësishëm për qytetarët me të drejtë vote, por dhe komunitetin në tërësi, në njohjen e alternativave që do të ofrohen nga subjektet politike dhe kandidatët, AMA mbetet me pritmëri maksimale se angazhimi i OSHMA-ve do të jetë në respekt të kërkesave dhe standardeve që parashikon Kodi Zgjedhor i Republikës, si një shërbim i dobishëm për qytetarët, për transparencën dhe për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për zgjedhje me standarde demokratike.
Nisur nga monitorimet e fushatave të kaluara zgjedhore, AMA gjen rast t’ju kujtojë nevojën e zbatimit të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në respektimin e kohës që do t’u lihet në përmbajtjet e transmetuara subjekteve dhe kandidatëve garues, gjatë edicioneve të lajmeve, në lidhjet e drejtpërdrejta apo në emisionet forum; në hapësirën e reklamave politike në shërbim të fushatës elektorale etj.
Po ashtu rëndësi ka dhe detyrimi i ruajtjes së përmbajtjeve të transmetuara gjatë gjithë fushatës zgjedhore, të cilat OSHMA-të, sipas afateve qe përcakton Kodi Zgjedhor, duhet t’i mbajnë ato dhe në 10 muajt pasues; prezantimi me të gjithë elementët e nevojshëm të sondazheve; respektimi i heshtjes zgjedhore etj.
AMA do të monitorojë mbulimin e fushatës nga OSHMA-të dhe gjetjet do t’i përcjellë në KQZ, institucion që i publikon menjëherë të dhënat në faqen e vet të internetit për transparencë ndaj publikut.
AMA kërkon nga redaksitë e OSHMA-ve respektimin e kërkesave dhe standardeve që parashikon Kodi Zgjedhor në procesin e mbulimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë së Himarës, qarku Vlorë.
AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE
Tiranë 23.07.2024