Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), duke ndjekur me shqetësim raportimet mbi ngjarjen tragjike në Tiranë, ku humbi jetën një 14-vjeçar dhe u plagosën disa të tjerë, shpreh ngushëllime të thellë familjes së viktimës, si dhe solidaritet të plotë me të plagosurit dhe familjet e tyre.
AMA, duke vlerësuar si interesin më të lartë, rëndësinë e raportimit dhe transparencës së plotë të ngjarjes, me ndjeshmëri të lartë publike, si një detyrë e medias dhe medias audiovizive në veçanti, ka monitoruar në vijimësi raportimin e ngjarjes, duke tërhequr disa herë vëmendjen e subjekteve audiovizive, në rastet e abuzimit me të dhënat e të miturve apo presionin e disa mediave, për përfshirjen e të miturve në kronika të ndryshme, të cilat përbëjnë shkelje të Kodit të Transmetimit të Republikës së Shqipërisë!
Në këtë kontekst, AMA dëshiron të theksojë rëndësinë e raportimit të përgjegjshëm dhe etik të mediave audiovizive, duke pasur në fokus:
1. Respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të privatësisë së viktimave dhe familjeve të tyre. Publikimi i informacionit që cënon jetën private apo që krijon vuajtje të mëtejshme për familjet e prekura, është joetik dhe në kundërshtim me standardet e raportimit profesional.
2. Çdo raportim duhet të bazohet në burime të besueshme dhe të jetë në përputhje me të vërtetën e ngjarjes. Informacionet e pasakta ose të paplotësuara mund të çojnë në konfuzion, dëmtojnë hetimet, rëndimin e të miturve që prezumohen të pafajshmëm si dhe mund të cënojnë shëndetin mendor, dinjitetin e të miturve dhe familjeve të përfshira!
3. Përveç informimit, mediat kanë një përgjegjësi për të promovuar ndërgjegjësimin publik mbi rëndësinë e parandalimit të ngjarjeve të tilla dhe nevojën e llogaridhënies dhe mbajtjes së përgjegjësive nga institucionet, duke kontribuar në formimin e një opinioni publik të drejtë dhe aktiv!
AMA kujton se raportimi mbi ngjarje të tilla të rënda, nuk është thjesht një detyrë profesionale, por edhe një akt përgjegjësie shoqërore.
Prandaj, i nxit të gjitha subjektet audiovizive të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregulloret përkatëse mbi etikën dhe standardet e raportimit.
AMA, pasi ka shteruar të gjithë paralajmërimet dhe tërheqjet e vëmendjes, në respekt të ndjeshmërisë së lartë publike, në respekt të ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Kodit të Transmetimit të RSH për mbrojtjen e të miturve dhe moscënimin, do të monitorojë me vëmendje të shtuar mënyrën se si trajtohet dhe raportohet kjo ngjarje në media dhe do të marrë masa të menjëhershme, me të gjithë forcën e ligjit dhe mjetet ligjore dhe administrative që zotëron, ndaj çdo subjekti që shkel këto standarde.
Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive