Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi më 31 janar 2023, në Gjirokastër, tryezën e trembëdhjetë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.
Tryeza pati karakter gjithëpërfshirës, ndonëse si paraqitja ashtu edhe diskutimet pasuese u përqendruan te “Barazia gjinore dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes” si edhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.
Pjesë e këshillimit u bënë përfaqësues të OSHMA-ve, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve arsimore, institucioneve lokale, etj. Diskutimi evidentoi disa problematika të funksionimit të mediave audiovizive lokale, mungesën e standardeve të njehsuara profesionale dhe etike në përditshmëri dhe nevojën e njohjes më të thelluar të dokumenteve, që rregullojnë veprimtarinë audiovizive.
Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti shkurt procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare.
Ajo iu referua ekuilibrave, që procesi i rishikimit ka synuar të ruajë dhe risive, që ai ka prodhuar, rëndësisë së këshillimit publik për bashkërendimin e pritshmërive të të gjitha grupeve të interesit kundrejt Kodit të Transmetimit, si një ankt nënligjor me vlerë bazike për garantimin e rolit rregullator të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit të Ankesave në marrëdhëniet midis OSHMA-ve dhe publikut, si në administrimin e ankesave ashtu edhe në edukimin mediatik të të gjitha palëve.
Pjesëmarrësit në diskutim shtruan nevojën e ruajtjes së privatësisë së fëmijëve të përfshirë në ngjarje të rënda gjatë raportimeve mediatike dhe nevojën e bashkërendimit të standardit gjatë komunikimit me institucionet për këtë qëllim, nevojën e pranisë së institucioneve të specializuara për ndërmjetësimin e komunikimit me fëmijët në rastet problematike, kërkuan informacion rreth
masave paralajmëruese dhe sanksioneve financiare, që ligji 97/2013 parashikon për OSHMA – të për shkelje të detyrimeve ligjore dhe atyre të rrjedhura nga Kodi i Transmetimit, për standardet etike, që duhet të përmbushin emisionet e bamirësisë, për detyrimet e OSHMA-ve për mbrotjen e të drejtave të konsumatorit, për kufizimet kohore përkitazi reklamave në përmbajtjet audiovizive, për detyrimin e mbrojtjes së identitetit dhe dinjitetit të viktimës, prezumimin e pafajsisë së personave ne kontakt apo konflikt me ligjin si edhe për mënyrat e shtimit të prodhimeve për fëmijë në programacionin e mediave audiovizive lokale.
Ekspertja e angazhuar nga AMA për hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi në mënyrë të detajuar ndryshimet e propozuara. Ajo theksoi rëndësinë e vendosjes së kufizimeve ndaluese për përmbajtjet audiovizive, që nxisin urrejtje ose përçarje shoqërore, rëndësinë e ndërgjegjësimit të profesionistëve për pasojat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe nevojën e sensibilizimit të profesionistëve për shmangien e saj, duke iu referuar standardeve ndërkombëtare. Ekspertja u ndal gjithashtu te detyrimet përkitazi barazisë gjinore, interesit më të lartë të fëmijës, të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe prezumimit të pafajsisë si edhe te rekomandimet, që Projektkodi formulon përkitazi stereotipeve gjinore, numrit të formateve për fëmijë apo raportimit drejtpërdrejt nga vendngjarja, në kuadrin e Kronikës së Zezë. Duke u ndalur te seksioni me fokus fëmijët, ekspertja theksoi, se ai zë 1/3 e Kodit të Transpër shkak të peshës që i jepet mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe shpjegoi se rishikimi i tij është bazuar në adaptimin e formulimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, ndërsa referuar seksionit për mbrojtjen e të dhënave personale, Hysi theksoi, se rishikimi është orientuar sipas direktivës së BE-së, me fokus mbrojtjen më të rrgulluar në këtë fushe\ë.
Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me projektkodin dhe të bëjnë komentet ose propozimet e tyre lidhur me të.
Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.