Në mjediset e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës u prezantuan ditën e premte (dt.31 janar 2020), dy botime të reja të realizuara nga ky Departament, në kuadër të projekteve që janë mbështetur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA.
“Tregu i medias audiovizive, sjelljet e audiencave dhe kuadri rregullator ” dhe “Oferta programore e transmetuesve televizivë shqiptarë”, përbëjnë dy dosje faktike dhe analitike, si pjesë e studimeve dhe kërkimeve që kanë kryer në dy vitet e fundit anëtarët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Studentë dhe pedagogë të pranishëm në prezantim kanë vlerësuar maksimalisht cilësinë dhe profesionalizmin e përmbajtjes së dy studimeve, të cilat janë një bazë e mirë të dhënash, si dhe shqyrtim mbi aspekte të dinamikës dhe prirjeve të tregut audioviziv në Shqipëri.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prof. dr. Sabri Laçi, duke e përshkruar Departamentin e Gazetarisë si më aktivin në jetën kërkimore dhe shkencore, apo në bashkëpunimin me institucione të tjera vendase dhe të huaja, shprehu besimin se dy librat do të mbeteshin një referencë e dijeve dhe informacionit bashkëkohor në angazhimet e pedagogëve, studentëve apo të gjithë kërkuesve të fushës.
Për kryetarin e AMA-s, Z.Gentian Sala, bashkëpunimi me Departamentin, ka qenë dhe mbetet prioritar, me zanafillë prej vitit 2015, kur u organizua konferenca shkencore ndërkombëtare mbi digjitalizimin. Sipas tij, bashkëpunimi mes një universiteti publik dhe një institucioni publik duhet të jetë më i shpeshtë në vendin tonë, sepse ka impakt shumë pozitiv mbi vetë institucionet dhe mbi shoqërinë.
“Duke ndjekur ritmin e këtij kooperimi 5 vjeçar, ne shumë shpejt, brenda muajit shkurt të këtij viti, do të iniciojmë realizmin e intership-eve në AMA. Presim interesim, pasi internship-et janë të frytshme për të dyja palët, si për studentët që të njohin më mirë tregun audioviziv dhe autoritetin rregullator, por dhe autoriteti merr energji të përmirësojë vetveten në bazë të risive që mund të japin studentët e gazetarisë dhe komunikimit”- tha mes të tjerave ai.
Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, prof. asoc Mark Marku, e quajti model për institucionet publike bashkëpunimin AMA – Departament, impaktin real që kanë projektet studimore dhe kërkimore për aktualitetin dhe perspektivën, për rëndësinë që ka baza e të dhënave që përftohet nga kjo punë voluminoze dhe profesionale.
“Ne ju vimë në ndihmë operatorëve audio dhe audiovizivë, që ata të kuptojnë më mirë dinamikën e zhvillimeve teknologjike dhe të përmbajtjeve që transmetojnë. Ju prezantojmë me fakte dhe analiza kompetente se cilat janë trendet e së nesërmes, duke ju ofruar dhe shembuj dhe precedentë nga mediat audiovizive ndërkombëtare”
Prof. asoc. Mark Marku përmbledhtazi paraqiti disa nga treguesit kryesorë të dy publikimeve shkencore, publikime të cilat studentët, pedagogët dhe gjithë të interesuarit mund t’i shfrytëzojnë nga fondi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Autoriteti Mediave Audiovizive
03 shkurt 2020