Pas denoncimit të piraterisë televizive nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, Policia Shtetit ka arrestuar pesë administratorë subjektesh pasi shisnin paketa televizive në mënyrë pirate. Ndërkohë 3 të tjerë në kërkim janë shpallur në kërkim.
Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi ka falënderuar Policinë e Shtetit për bashkëpunimin me rastet e zbuluara dhe të denoncuara nga ekipet e inspektimit të AMA-s.
“Sot tregu audioviziv ka disa shkelës më pak. Operacioni policor, me emrin e koduar “Dekoderi”, i zhvilluar pas gjurmëve të zbuluara edhe nga ekipet tona të inspektimit, është përmbyllur me konstatimin e 7 subjekteve online, në të cilat shiteshin paketa me kanale televizive, pa të drejta, pra në kundërshtim me ligjin e AMA-s, Nr 97/2013, por edhe në shkelje të Kodit Penal” u shpreh Znj.Krasniqi duke shtuar se administratorët e këtyre subjekteve janë vënë përpara drejtësisë.
Prej muajsh ekipet e AMA-s janë në terren për të identifikuar IPTV pirate, në të gjitha qarqet e vendit, ndërsa kanë denoncuar shkelësit e ligjit pranë autoriteteve.