Vetëm për dy ditët e fundit, për transmetim të pamjeve të dhunës dhe gjuhë të papërshtatshme, janë marrë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, 9 masa “Tërheqje vëmendje”, për 9 televizione të ndryshëm.
Transmetimi i pamjeve të dhunës ekstreme, pa asnjë teknikë mbulimi, në edicionet informative në 5 televizione dhe transmetimi i materialeve muzikore ku përdorej gjuhë e papërshtatshme në tekstet e këngëve, me pamje të ushtrimit të dhunës, të ekspozimit të armëve, përdorimit të lëndëve narkotike e alkoolit dhe gjeste joetike nga interpretët, transmetuar këto në orare të papërshtatshme, në 4 ekrane të tjera muzikore, kanë sjellë marrjen e këtyre masave paralajmëruese.
Për rastet e konstatuara nga monitorimi i përmbajtjeve, ka reaguar edhe Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi. “Shfaqja e dhunës në transmetimet televizive duhet të marë fund”, ka thënë ajo. “Transmetimi i pamjeve të dhunës ekstreme në edicionet informative, siç ka rezultuar nga monitorimi i dy ditëve të fundit, është i papranueshëm. Përveçse përbën shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, shfaqja e dhunës është veprim që bën dëm. Dhuna prodhon dhunë. Publiku shqiptar ka të drejtën e tij të jetë i mbrojtur nga ekspozime të tilla të panevojshme dhe profesionistët e medias nuk duhet ta harrojnë këtë”.
Përdorimi i dhunës apo transmetimi i përmbajtjeve të tjera të papërshtatshme në ekrane është qartësisht i ndaluar nga dispozitat ligjore në fuqi.
Për rastet e mësipërme, janë shkelur përkatësisht:
– neni 4 i ligjit 97/2013, ku flitet për parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive, saktësohet se: “Kjo veprimtari respekton në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e fëmjëve”, pika 1/b. Po aty, në pikën 2/dh, përmendet se, operatorët e shërbimit audioviziv, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre, udhëhiqen edhe nga parimi i “moslejimit të transmetimeve që nxisin ose justifikojnë dhunën”
– neni 32/1, ku saktësohet se: “Programet audio dhe audiovizive të ofruara nga OSHMA-të, që mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor ose moral të fëmijëve, do të transmetohen vetëm në atë mënyrë që siguron se fëmijët normalisht nuk do t’i dëgjojnë ose shohin ato, përmes zgjedhjes së kohës së transmetimit, aplikimit të mjeteve të verifikimit të moshës ose përmes masave të tjera teknike. OSHMA-të marrin masa mbrojtëse në proporcion me efektet që këto programe kanë në zhvillimin moral, mendor e fizik të fëmijëve”.
– neni 33, pika 1/d, ku renditen detyrimet e OSHMA-ve, saktësohet se: “Ofruesi i shërbimit mediatik audioviziv duhet “të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos transmetojë programe që mund të nxisin vepra penale”.
– neni 33 ku flitet për detyrimet e OSHMA-ve, thuhet se ofruesi i shërbimit mediatik audioviziv duhet “të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut”, pika 1/”ç”
– Kodi i Transmetimit, seksioni 3, ku përcaktohet dhe se: “OSHMA-të, në programet informative, nuk promovojnë për qëllime sensacionale, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë dhunën”, pika 3.9, dhe pika të tjera të Seksionit 4 të këtij Kodi, “Për fëmijët në transmetimet audio dhe audiovizive”.
Për këto arsye, me lutjen që raste të mos përsëriten më dhe që prefesionistët e medias të kujtojnë që interesi i publikut duhet të jetë interesi më i lartë edhe për ta, Kryetarja Krasniqi ka paralajmëruar se AMA do të vazhdojë të jetë në rol mbikqyrës për respektimin rigoroz të ligjit dhe marrjen e masave që ky ligj parashikon.