E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

OSHMA-të nuk duhet të transmetojnë reklama të fshehta dhe të mos abuzojnë me përmbajtjet audiovizive mbi kujdesin shëndetësor dhe marrjen e medikamenteve

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, gjatë mbledhjes së datës 11 janar 2019, e para për këtë vit, ka diskutuar gjerësisht për programacionin e transmetuar nga OSHMA-të, si dhe respektimin e ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Kodin e Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore që janë në fuqi. Nga vetë rëndësia që ka kjo çështje për publikun, por dhe për vetë OSHMA-të, në mbledhje ishin të ftuar dhe përfaqësues nga Këshilli i Ankesave, Drejtoria e Programeve dhe Drejtoria Juridike dhe e Licencave.

Gjatë vitit 2018, AMA ka kryer monitorime dhe vlerësime mbi përmbajtjet e monitoruara, një pjesë e të cilave janë bazuar në ankesat që kanë mbërritur në institucion nga qytetarët, organizata të ndryshme apo institucione. Mbrojtja e fëmijëve në transmetimet audiovizive, reklamat dhe komunikimet tregtare, përmbajtjet mbi kujdesin shëndetësor dhe medikamentet, evitimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në çdo formë, barazia gjinore, respektimi i standardit të shkruar dhe të folur të shqipes etj., kanë qenë aspektet më të ndjeshme, për të cilat Autoriteti ka tërhequr vëmendjen e OSHMA-ve në rastet e mosrespektimit të kërkesave ligjore.

Nga bordi i AMA-s, fokusi, gjatë diskutimit në mbledhje, u përqëndrua tek hapësira e transmetimit që lidhet me reklamat dhe komunikimet tregtare, ku me gjithë përmirësimet e performancës nga subjektet audiovizive, ka ende raste të  aplikimit të promocionit të fshehtë, duke përdorur teknika të joshjes të shikuesve në mënyrë të pandërgjegjshme dhe mjete për sugjestionimin e tyre, të cilat janë të ndaluara. Si shembull tipik, gjatë mbledhjes, u përmendën në mënyrë të veçantë ato edicione të lajmeve ku përfshihen dhe “kronika” informative, të cilat në fakt janë reklamë e fshehur. Në nenin 3, pika 7, të ligjit 97/2013, i ndryshuar, përcaktohet se komunikim i fshehtë audioviziv me natyrë tregtare është “paraqitja me fjalë ose figurë e mallrave, shërbimeve, emërtimit, markës së prodhimit ose i veprimtarive të një prodhuesi mallrash ose ofruesi shërbimesh, në programe, kur një paraqitje e tillë, nga ofruesi i shërbimit të mediave, ka për qëllim të shërbejë si reklamë dhe mund të mashtrojë publikun mbi natyrën e tij.”

Përmbajtjet audiovizive me informacione dhe diskutime mbi kujdesin shëndetësor dhe prezantimin e produkteve farmaceutike, ishin një tjetër aspekt për të cilin bordi kërkoi vëmendje edhe më të madhe për të shmangur abuzimet nga operatorët. AMA, në fillim të këtij viti, u tërheq sërish vëmendjen të gjitha subjekteve audiovizive për të mos transmetuar shërbime mjekësore, si komunikim me natyrë tregtare të fshehur, për spitale, institucione shëndetësore apo personel të caktuar që shërben në to, që në të vërtetë ndikon në sugjestionimin apo keqadresimin e ndjekësve të programeve audiovizive në përzgjedhjen që ata bëjnë për marrjen e shërbimeve të kësaj natyre dhe që janë me rëndësi të dorës së parë për shëndetin.

Kujtojmë se qëndrimi i disa mjekëve në programet audiovizive bie në kundërshtim edhe me “Kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore”, ku ndalohet, për mjekun, “të merret me reklama a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal, apo të një institucioni të caktuar” (neni 60 pika3). Për rastet e prezantimit të produkteve farmaceutike, redaksitë audiovizive duhet të tregojnë kujdes maksimal për të reklamuar vetëm ato produkte farmaceutike që janë pjesë e listës së barnave që jepen pa recetën e mjekut, bazuar në listën e barnave OCT të Urdhrit të Farmacistëve.

Mbrojtja e fëmijëve gjatë transmetimeve audiovizive, u tha në mbledhjen e bordit, mbetet një prioritet për monitorimet dhe vlerësimet e AMA-s. Me gjithë përmirësimin e situatës në këtë drejtim, ende janë të pranishme shkelje, kur në oraret që fëmijët janë para ekraneve shfaqen përmbajtje të dëmshme dhune, skena të forta erotike, të përdorimit të lëndëve narkotike etj., pa kurrfarë shenje paralajmëruese, apo masë tjetër mbrojtëse, siç parashikon legjislacioni.

Mbrojtja e fëmijëve, reklamat dhe komunikimet tregtare si dhe përmbajtjet e transmetuara mbi kujdesin shëndetësor dhe përdorimin e medikamenteve janë cilësuar nga bordi si aspekte me prioritet për vitin 2019 e në vijim, ndaj dhe do të monitorohen dhe vlerësohen intensivisht. AMA u tërheq vëmendjen OSHMA-ve, private dhe publike, sidomos atyre kombëtare dhe atyre rajonale informative, që kanë dhe impakt më të madh te shikuesit, që të respektojnë kërkesat e legjislacionit. Në të kundërt, për rastet e evidentuara të shkeljeve dhe abuzimeve, tërheqjet e vëmendjes do të shoqërohen dhe me fillimin e procedurave administrative për sanksione, sipas ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

14 Janar 2018

Perpara NJOFTIM MBI PROCESIN E DIGJITALIZIMIT TË TRANSMETIMEVE TELEVIZIVE NË QARQET TIRANË E DURRËS SI DHE PËR QARKUN E VLORËS
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara