E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Njoftim për media

Pasqyrimi mediatik i një ngjarje familjare në Librazhd, shpërthimet dhe përbetimet e një pale kundër një pale tjetër, nuk mund të jenë ushqim zbavitës dhe argëtues që bëhet shkak për linçim njerëzor dhe verbëri. Nuk ka interes publik, nuk është as investigim gazetaresk i një video të tillë që publikon intimitete, të cilat janë shkak për rikthim tek trajtimet antinjerëzore, që nuk respektojnë lirinë dhe privatësinë.

Ajo që për fat të keq ka ndodhur në një familje, nuk mund të amplifikohet mediatikisht duke nxitur spirale të urrejtjes dhe hakmarrjes, të cënimit të personalitetit.

Ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, duke përcaktuar parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive, saktëson dhe se operatorët, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre duhet të respektojnë dhe garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private dhe të mos lejojnë transmetime që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve (neni 4, pika 2/d dhe 2/dh).

Po kështu në nenin 33, ku flitet për detyrimet e subjektit të licencuar, duhet që, “të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut; të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos transmetojë programe që mund të nxisin vepra penale; të mos cenojë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit në çdo program të transmetuar nga OSHMA-të dhe mjetet e përdorura për të realizuar këto programe.

Ndaj dhe AMA kërkon nga redaksitë mediatike respektimin e kërkesave ligjore, për të evituar qarkullimin e përmbajtjeve të tilla të papërshtatshme, që nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe nxisin intolerancë. Po ashtu fton çdo media/OSHMA që e ka publikuar videon të heqë nga mjetet e saj të informimit ato pamje të rënda të cënimit të dinjitetit njerëzor.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Perpara Kryetarja e AMA-s prezanton raportin vjetor në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara